Paris, 11 nëntor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në Forumin e Paqes në Paris tha se Kosova dëshiron normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, por shtoi se dialogu mes dy vendeve “është dialog për statusin e marrëdhënieve, jo për statusin e Kosovës”
Në fjalimin e tij, Kurti përsëriti qëndrimin se marrëveshja përfundimtare në këtë dialog duhet të përfshijë njohjen reciproke.
“Normalizimi nënkupton një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër. Nuk po them që në marrëveshje nuk do të ketë edhe shumë gjëra të tjera, por në qendër duhet të jetë njohja reciproke”, tha ai.
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha të premten se për Serbinë është i papranueshëm çfarëdo propozimi që përfshin njohjen e Pavarësisë së Kosovës.
Gjatë fjalimit të tij në Forumin e Paqes, Kurti tha se këto vende duhet ta ndryshojnë qëndrimin e tyre që “ta ndihmojnë Serbinë ta njohë Kosovën më shpejt duke e njohur vetë së pari”.
Ai shtoi se Kosova nuk do të bëjë “koncesione të tjera të dizajnuara për ta ndarë vendin tonë në linja etnike dhe fetare”.
Më 10 nëntor, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përsëriti kërkesën e perëndimit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin Kurti ka deklaruar disa herë se është kundër formimit të ndonjë asociacioni njëetnik.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013. Më 2015, palët nënshkruan Marrëveshjen mbi parimet për formimin e këtij asociacioni. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese konstatoi se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen.
Kurti tha se që kur dialogu kishte filluar në vitin 2011, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë përmirësuar për shkak se “Serbia ka dështuar në demokratizimin dhe ende kërkon konflikt e jo bashkëpunim”.
Ai shtoi se paqja dhe siguria në Evropë nuk po rrezikohet vetëm nga Rusia, por edhe nga Serbia, teksa theksoi se Serbia nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.
“Frikësohem se Serbia sot nuk është as demokratike, as e pavarur. Është një regjim i udhëzuar nga Kisha Ortodokse dhe dominohet nga Rusia e Putinit”, tha Kurti.
Forumi i Paqes, që nisi të premten, grumbulloi në Paris liderë botërorë, përfshirë këtu ata të Kosovës: kryeministrin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani dhe homologët e tyre Ana Bërnabiq dhe Aleksandar Vuçiq.
Para nisjes së këtij Forumi, Kurti u takua me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, ku u diskutua për dinamizmin e dialogut Kosovë – Serbi, për gjendjen në veri dhe për planin franko-gjerman.
Të enjten në Paris, Kurti u takua edhe me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, së bashku me presidenten Osmani.
Me presidentin francez dhe me shefin e diplomacisë në BE, Josep Borrell, është takuar edhe Vuçiqi.
(Sipas REL)