Kurti: “Ne jemi partner serioz i SHBA-së. Jemi edhe patriotë”

Prishtinë, 7 korrik 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se qeveria e tij do t’i përdorë argumentet e studimit të fizibilitetit për menaxhimin e ujit të Liqenit të Ujmanit, të kryer nga  Departamentit Amerikan për Energji (DAE), për ta mbrojtur këtë pasuri të Kosovës.

“Liqeni i Ujmanit është liqe artificial, liqe nga Kosova dhe i Kosovës. Ne do t’i përdorim të gjitha argumentet në këtë studim te fizibilitetit të publikuar së fundmi dhe jo vetëm këtë, por edhe studime të tjera, për ta mbrojtur këtë pasuri të Kosovës nga çfarëdo pretendimi. Pra, qëndrimi ynë është i qartë: sa më shumë argumente që do të gjejmë aq më mirë do të jetë dhe sa më pak sulme që të ketë për këtë pasuri të Kosovës, sigurisht, aq më mirë do të jetë”, tha zoti Kurti, gjatë debatit parlamentar mbi Marrëveshjen për normalizimin ekonomik midis Kosovës e Serbisë, të nënshkruar më 4 shtator të vitit të kaluar, në Shtëpinë e Bardhë.

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, nënshkrues i dakordimit, tha se marrëveshja e Uashingtonit theu izolimin ndërkombëtar të Kosovës dhe meqë ka kaluar kohë nga nënshkrimi, qeveria duhet të merret me zbatimin e detyrimeve që dalin prej saj.

“Duke qenë se sponsorizohej nga Shtëpia e Bardhë dhe drejtpërdrejt nga presidenti amerikan, vlerësohej se një marrëveshje ekonomike do të shtynte dy vendet më lehtë drejt marrëveshjes finale. Prandaj mbi këtë qasje është arritur marrëveshja në Shtëpinë e Bardhë. Përtej kësaj, këtë marrëveshje duhet parë edhe si një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Marrëveshje të tilla, sic na tregon historia dhe përvoja jonë në ndërtimin e shtetit krijojnë realitete të reja gjeopolitike, tha zoti Hoti.

Por, kryeministri Albin Kurti tha se disa pjesë të kësaj marrëveshjeje e bëjnë pikërisht të kundërtën.

“Marrëveshja e Uashingtonit thuhet se na e paska thyer izolimin ndërkombëtar, ndërsa vet në atë tekst kërkohet në pikën e parafundit që të kemi moratorium një vjeçar për mosanëtarësim në organizata ndërkombëtare. Kjo në fakt është nënshkrim i një qëndrimi antikushtetues”, tha zoti Kurti.

Përfaqësues të Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në opozitë, kërkuan qartësim të qëndrimeve të qeverisë lidhur me të gjitha pikat e Marrëveshjes së Uashingtonit dhe trajtim më serioz të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ajo që sot është me rëndësi për ne si opozitë dhe për qytetarët e Kosovës është që kjo qeveri të dal me një raport sa i përket kësaj marrëveshjeje me pikëpamjet e qeverisë për të. Kërkoj nga kryeministri të na qartësojë se cili do të jetë pozicioni ynë në secilën pikë të kësaj marrëveshjeje”, tha shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

“Kërkojmë nga ju që në raport me marrëdhëniet bilaterale me Shtetet e Bashkuara të jeni shumë më serioz, të mos leni paqartësi në këto raporte. Mbi të gjitha kërkojmë që të keni kërkesë të qartë për emërimin e një emisari të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Kosovë – Serbi. Dihet se aty ku ka munguar prezenca e Shtëpisë së Bardhë, aty nuk ka pasur sukses në dialog”, tha shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Kryeministri Kurti hodhi poshtë akuzat se ai po rrezikon marrëdhèniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai i cilësoi si “qesharake” këto akuza ndaj tij.

“Ne jemi partner serioz të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Jemi edhe demokratë edhe patriotë. Të tillë i duan partnerët dhe aleatët e vet Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj, thirrjet që na i bëni për seriozitet në raport me Shtetet e Bashkuara i marrim shumë seriozisht. Por, mos harroni se me këtë mbrojtje që ju pretendoni t’ua bëni Shteteve të Bashkuara të Amerikës prej meje, duke qenë se nuk mund të bëheni tragjikë – jeni qesharakë”, tha zoti Kurti.

Në një pikë të Marrëveshjes së Uashingtonit, parashihej që Departamenti Amerikan për Energji të bënte një studim fizibiliteti lidhur me Liqenin e Ujmanit. Ky studim kishte qëllim “përdorimin e përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”.

Në raportin prej 53 faqesh, i cili është dorëzuar në fund të muajit të kaluar, janë dhënë disa propozime që kanë të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës ujore dhe themelimin e një komisioni që do të trajtonte gjendjen në lumin Ibër, që është furnizuesi kryesor i Liqenit të Ujmanit.

(r.m.)