Kurti: Në marrëveshjen për të pagjeturit do të përdoret termi “të zhdukurit me dhunë”

Prishtinë, 6 prill 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në marrëveshjen për të pagjeturit, për të cilën janë dakorduar Kosova dhe Serbia, do të përdoret termi “të zhdukurit me dhunë”.
“Formulimi i saktë në anglisht është ‘forcibly disappeared’ – të zhdukur me dhunë – dhe ky është termi që është dakorduar dhe ndodhet në përmbajtjen e marrëveshjes. Edhe atëherë kur do të deklarohet, do të thuhet personat të pagjetur, të zhdukur, që mungojnë, gjithmonë bëhet fjalë për të zhdukur me dhunë. Kjo është shprehja në anglisht për të cilën tashmë është dakorduar në Bruksel”, ka thënë Kurti të enjten, pas prezantimit të strategjisë së Kosovës për Qeverisje Elektronike 2023-2027.
Kurti është pyetur edhe për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ai ka thënë se do të analizojë rezultatet e takimit të kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, për të përcaktuar “ecjen përpara gjatë muajit prill”.
Kurti ka konfirmuar se gjatë mujait prillit është planifikuar të zhvillohet një takim i tij me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Të martën, pas takimit me Petkoviqin, në Bruksel, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se është arritur pajtim për tekstin e deklaratës për personat e pagjetur. Ai ka thënë se në deklaratë përdoret termi “të zhdukur me dhunë”. Por, homologu i tij serb, Petkoviq, ka deklaruar për mediet serbe se në deklaratë nuk do të përdoret ky term, i cili do të kishte konsekuenca serioze për shtetin e Serbisë.
Në aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për normalizim raportesh, e që u dakordua në Ohër më 18 mars në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është thënë që deklarata për personat e zhdukur duhet të miratohet si çështje urgjente.
(r.m.)