Prishtinë, 28 shkurt 2023 – Kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se takimi i djeshëm në Bruksel ishte pozitiv, ndërsa propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë e kquajti “një platformë solide për të ecur përpara”.
“Besoj që dje ka qenë një takim pozitiv. Nuk e kemi ende normalizimin e plotë, por ajo çfarë mund të them është se u konfirmua që kemi të bëjmë me një platformë solide për të ecur përpara dhe gjithçka që na mundëson ecjen përpara është pozitive. Diskutimet do të vazhdojnë, sepse do të kemi tash negociata për planin e zbatimit, por besoj që është koha që qytetarët, politikanët, zyrtarët, ekspertët e profesionistët ta lexojnë vetë këtë tekst”, tha ai.
Kurti theksoi se në dialogun me Serbinë nuk ka hequr dorë nga asnjë qëllim dhe theksoi se normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bëhet me njohje reciproke dhe me reciprocitetin si princip
“Nuk kam hequr dorë nga asnjë qëllim, nuk jam në çfarëdo rruge tjetër përveç asaj në të cilën janë zhvilluar dhe që është e përbashkët. Pra, normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë bëhet me njohje reciproke dhe me reciprocitetin si princip. Pra, në të gjitha çështjet të cilat do t’i trajtojmë’, u shpreh ai.
Kurti hodhi poshtë kritikat për mungesë transperence gjatë procesit të dialogut. Ai tha se është i gatshëm të raportojë në Kuvend edhe për takimin e djeshëm në Bruksel.
“Kam qenë maksimalisht transparent për procesin. Jam i gatshëm të shkoj në Kuvend të Republikës çdoherë kur deputetët e konsiderojnë këtë të nevojshme”, tha Kurti.
I pyetur se a e shtyn marrëveshjen përfundimtare mosnënshkrimi i propozimit evropian, Kurti tha se objektiv i Brukselit është që marrëveshja të arrihet në muajin mars. Ai theksoi se në muajt në vijim do të ketë “shumë punë”
“Synimi i Brukselit është që të përfundojë në këtë muaj, në kuptimin e planit të zbatimit. Por, natyrisht që do të ketë edhe shumë punë të tjera, meqenëse çështjet siç i keni parë në ato 10 nene 9të propozim-marrëveshjes) në të shumta, andaj aty do të ketë shumë punë e angazhim, do të ketë shumë bisedime jo të kollajshme, por qëllimi i Brukselit është që brenda muajit mars, në një takim të radhës të nivelit të lartë”, tha Kurti.
Të hënën, në Bruksel, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Kurti ka thënë se Kosova ka treguar gatishmëri për ta nënshkruar marrëveshjen e propozuar nga Bashkimi Evropian, porse Serbia ka refuzuar ta bëjë këtë.
Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet gjatë muajit mars.
(r.m.)