Kurti në Procesin e Berlinit: Kosova do të lejojë lëvizjen e lirë për qytetarët e Bosnjës, nga 1 janari

Berlin, 14 tetor 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Procesi i Berlinit, gjatë periudhës dhjetëvjeçare të tij, ka luajtur rol kyç në afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian dhe se ky mekanizëm ndhmon në avancimin e procesit të integrimit të këtyre vendeve në Bashkimin Evrpopian.

“Pavarësisht sfidave të brendshme dhe eksternale, Procesi i Berlinit mbetet një forcë nxitëse për integrimin evropian dhe lidhja që e mban të lidhur Gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor. Kjo është ajo që e njohim dhe e festojmë sot këtu në Berlin”, u shpreh Kurti në samitin e Procesit të Berlinit, në Berlin.

Kurti e cilësoi si të arritur të madhe të Procesit të Berlinit krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal. Ai e vlerësoi edhe rolin e Procesit të Berlinit në zgjidhjen e ngërçit në zbatimin e marrëveshjes së CEFTA-s, që u bë javën që shkoi me kalimin e të drejtës së përfaqësimit nga UNMIK-u te institucionet shtetërore të Kosovës.  

“Një momentum i ri është fituar pas kalimit të ngërçit brenda CEFTA-s. Tani mund të avancojmë me një ritëm të ndryshëm, me barazinë në qendër dhe qytetarët si përfitues të fundit”, u shpreh ai.

Kryeministri i Kosovës shprehu keqrdhje që përkundër marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime në vendet e rajonit, të arritur në kuadër të Procesit të Berlinit, shtetasit e Kosovës dhe shtetasit e Bosnjës e Hercegovinës aktualisht duhet të pajisen me viza për të lëvizur në vendet respective, për shkak se entiteti i Republikës Sërpska refuzon që kjo marrëveshje të ratifikohet nga Parlamenti i Bosnjës e Hercegovinës..

Kurti njoftoi se, nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Kosova do të lejojë në mënyrë të njëanshme lëvizjen e lirë për qytetarët e Bosnjës e Hercegovinës në Kosovë, vetëm me letërnjoftime.

“Ndërsa entiteti i Republikës Sërpska refuzon ratifikimin e marrëveshjes për lëvizje të lirë me letërnjoftime, të cilën vendi im ka qenë i pari në rajon që e ka ratifikuar në Parlament, unë kam vendosur t’i jap fund pritjes. Duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm, Republika e Kosovës, në mënyrë të njëanshme, do të lejojë lëvizjen e lirë për mbajtësit e letërnjoftimeve të Bosnje e Hercegovinës”, tha Kurti.

“Lidhshmëria është thelbësore për Procesin e Berlinit”, theksoi ai.

Kuri tha se Kosova ka qenë dhe do të jetë një zë i arsyes dhe një mbështetje në Procesin e Berlinit dhe theksoi se ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Pas dy muajsh do të shënojmë dy vjet prej kur Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE. Ndërsa ne deklarojmë se zgjerimi është përsëri në agjendë, ka ardhur koha që Kosova të marrë statusin zyrtar të kandidatit”, u shpreh ai.

Në kuadër të Procesit të Berlinit, ndër vite, janë arritur disa marrëveshje, por shumë prej tyre nuk janë zbatuar. Marrëveshja për lëvizje të lirë me letërnjoftime mes vendeve të Ballkanit Perëndimor është arritur në vitin 2022. Derisa qytetarët e Kosovës mund të lëvizin me letërnjoftime në Maqedoni të Veriut, Shqipëri, Serbi dhe Mal të Zi, ata duhet të pajisen me viza për të shkuar në Bosnje e Hercegovinë. Po kështu, me viza duhet të pajisen edhe qytetarët e Bosnjës e Hercegovinës që hyjnë në Kosovë. Kjo, për faktin se Bosnja e Hercegovina, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës, nuk e ka ratifikuar ende marrëveshjen për lëvizje të lirë, të miratuar në kuadër të Procesit të Berlinit.
Procesi i Berlinit është lansuar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel. Ky proces ka objektiv rritjen e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor (Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut) dhe afrimin e tyre me Bashkimin Evropian.
(r.m.)