Prishtinë, 2 mars 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se as Ballkan nuk është imun ndaj zhvillimeve në Ukrainë.
“Ballkani nuk është imun ndaj zhvillimeve në Ukrainë, sepse në Ballkan është një shtet që nuk ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse dhe nuk e ka dënuar veprimin e Rusisë, e ky shtet është Serbia, fqinji i Kosovës”, tha Kurti të mërkurën në mëngjes, në një intervistë për SkyNews.
“Kjo (Serbia) ka shumë lidhje me Rusinë, si kulturore e historike ashtu edhe ekonomike e ushtarake”, theksoi ai.
Kurti tha se Serbia, me mbështetjen e Rusisë, mund të provokojë destabilizim të situatës në Ballkan/
“Serbia i ka 40 MIG-29 të dhuruara nga Rusia dhe Bjellorusia. Mbi gjysma e Parlamentit të Serbisë është pjesë e grupacionit të miqësisë serbo-ruse, kurse ‘Gazpromi’ rus zotëron 56 për qind të industrisë së naftës në Serbi dhe 51 për qind të rezervave të naftës në Banatski Dvor, në Vojvodinë, e cila është ndër më të mëdhatë në Evropën Juglindore”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës tha se Ballkani e ka kaluar situatën si e sotmja në Ukrainë në pranverë të vitit 1999. Ai tha se Kosova e mbështet integritetin territorial të Ukrainës dhe solidarizohet fort me popullin ukrainas.
“Tashmë këtë e kemi parë edhe në Ballkan në pranverën e vitit 1999. Mbi 860 mijë qytetarë ishin larguar nga Kosova. Qindra masakra të ndodhura, mbi 12 mijë civilë të paarmatosur janë vrarë dhe rreth 20 mijë gra janë përdhunuar. Tashmë po e shohim agresionin rus në Ukrainë, ku secili lider është duke e dënuar. Tashmë jemi në përkrahje të popullit ukrainas për respektim të integritetit territorial”, tha ai.
Kurti tha se qytetarët e Kosovës janë të brengosur se Vladimir Putini, të cilin ai e ka quajtur “president despotic”, mund ta bartë konfkiktin në Ballkanin Perëndimor, për ta kthyer kundër demokracive perëndimore.
Ai tha se anëtarësimi i Kosovës në BE dhe në NATO është me interes të veçantë për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe të Evropës.
“Ne dëshirojmë t’u bashkohemi BE-se dhe NATO-s. Ne aktualisht e kemi NATO-n në Kosovë, por anëtarësimi sa më i hershëm i Kosovës do të ishe shumë i dobishëm për qytetarët e Kosovës, për vendet e Ballkanit dhe për vetë kontinentin evropian”, tha Kurti, intervistë për SkyNews.
(r.m.)