Varshavë, 1 tetor 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia vazhdon të paraqesë kërcënim për fqinjët e saj dhe për mbarë Ballkanin Perëndimor, duke aplikuar modelin e agresio nit të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Serbia që sot është e njëjtë sikurse në kohën e Millosheviqit vazhdon t’i kërcënojë fqinjët, duke dhunuar sovranitetin dhe territorin e shteteve, përfshirë Kosovën. Ajo kulmoi me sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2024. Qëllimi i saj ishte të imitonte operacionin e Rusisë në Donbas në vitin 2018”, ka thënë Kurti në Forumin e Varshavës për Siguri në temën “Fokusohuni në Ballkanin Perëndimor: lidhja e gjeopolitikës dhe integrimit evropian”.
Kurti ka thënë se Policia e Kosovës e ka përballuar me sukses sulmin terrorist në Banjskë, i cili mund t٥ kishte pasur pasoja më të gjera.
“Pas sulmit policia jonë sekuestroi mijëra armë. Nuk është ekzagjerim të themi se policia jo vetëm që mbrojti Kosovën, por pengoi një konflikt të hapur i cili mund të kishte pasoja ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se Serbia po i shërben Rusisë për të hapur konflikte të reja
“Derisa Serbia vazhdon ta destabilizojë veriun e Kosovës, Rusia tenton njëjtë të hapë konflikte të reja”, ka thënë ai.
Kurti e ka shpjeguar shtimin e pranisë së policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, gjë që ka shkaktuar reagimin e ashpër të Beogradit zyrtar dhe të partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listën Serbe, të vilën e kontrollon dhe e përdor sa herë që tenton të ngre tensionet në Kosovë. Ai ka theksuar se prania policore është faktor i sigurisë dhe vendosjes së rendit e ligjit në këtë pjesë, ku kanë vepruar deri vonë strukturat kriminale të lidhura me pushtetin në Serbi.
“Kur flasim për mbrojtje dhe siguri nuk mjafton vetëm të jemi pro saj, por edhe ta bëjmë. Mbrojtja e progresit është e njëjtë sikurse mbrojtja e popullit. Në veri kemi themeluar stacione të reja policore, kemi hapur pompa të derivateve, po ashtu ka filluar regjistrimi i bizneseve dhe kjo paraqet një progres për normalitet në veri. Ne jemi të përkushtuar të ofrojmë siguri dhe prosperitet për të gjithë pavarësisht etnisë që i takojnë. Sot më shumë se kurrë na duhet ndihma e NATO-s, Polonisë dhe aleatëve për promovimin e paqes”, ka thënë ai.
Kurti ka përsëritur se objektiv final i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në BE.
(r.m.)