Prishtinë, 27 dhjetor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kritikoi të mërkurën qëndrimin e ndërmjetësuesit të bisedimeve me Serbinë, Miroslav Lajçak, i cili e quajti para pak ditësh “çështje të brendshme të Kosovës” projekt statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ka edhe një qëndrim tjetër të ri që mbase duhet adresuar, që draft statuti na qenka çështje e brendshme e Kosovës. Po atëherë përse e kemi përmendur në tryezën e bisedimeve në Bruksel? Nëse na paska qenë çështje e brendshme e Kosovës tash e dy vjet ose tash e dhjetë vjet, përse e ngrisni këtë punë në Bruksel? S’po e flasim fare në Bruksel, një temë më pak dhe ecim përpara”, tha ai.
Propozimi për projekt statutin e Asociacionit u është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë me 21 tetor nga të dërguarit amerikanë dhe evropianë. Kryeministri Kurti ritheksoi sot se ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin, ndërsa akuzoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç se refuzoi nënshkrimin. Presidenti serb ndërkaq ka deklaruar se propozimi paraqet bazë të mirë për bisedime të mëtejme.
I dërguari evropian për bisedimet, Miroslav Lajçak në një intervistë me Gazetën Express, para pak ditësh tha se nënshkrimi nuk ishte i nevojshëm meqë projekt statuti është paraparë të jetë dokument i brendshëm i Kosovës. Kryeministri Kurti tha se në një rast të tillë, vitin e ardhshëm ai mund ta hartojë një projekt statut bashkëkohor evropian.
Themelimi i Asociacionit është pjesë e marrëveshjes së arritur ndërmjet Prishtinës e Beogradit, në Bruksel dhe në Ohër më herët gjatë këtij vit, e cila nuk arriti të ulte tensionet mes palëve.
Në një konferencë shtypi, kryeministri Kurti akuzoi Serbinë se po tërhiqet nga zotimet që mori përsipër me atë marrëveshje duke u bërë thirrje ndërmjetsuesve të trajtojnë këtë çështje.
“Është edhe problemi i letrës së kryeministres (serbe Ana) Bërnabiç, me atë duhet të merren, çka të bëjnë më atë letër? Atë letër e kanë në dosje tash, me atë letër është tërhequr Serbia nga marrëveshja bazike, nëse e lexoni atë letër Serbia ka hequr dorë nga marrëveshja bazike, nuk do të duhej të merrem unë, le të merret ndërmjetësi me njërën palë që u tërhoq nga marrëveshja bazike”, tha kryeministri Kurti.
Ai theksoi se kjo qasje e Serbisë është pengesë kapitale për normalizim dhe për bisedime të mëtutjeshme.
Që nga viti 2011 Kosova dhe Serbia janë angazhuar në procesin e bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian me synim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Ndonëse 2023-ta shënoi arritjen e marrëveshjes më të rëndësishme në këtë drejtim, viti u përshkua me tensione të njëpasnjëshme posaçërisht në veri të Kosovës, të cilat kulmuan me sulmin ndaj policisë së Kosovës me 24 shtator.
Tensionet u pasuan nga përpjekjet e diplomacisë perëndimore për t’i nxitur palët të zbatojnë këtë marrëveshje, duke i kërkuar Kosovës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë njohjen de facto të Kosovës.
Gjatë këtij muaji udhëheqësit e Serbisë kanë shprehur qëndrimin se marrëveshja konsiderohet e pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshihet njohja de facto apo de jure e Kosovës.
Bashkimi Evropian thotë ndërkaq se marrëveshja është e detyrueshme për të dyja palët dhe këshilli i ministrave të bllokut i ka kërkuar Komisionit Evropian përfshirjen e saj në kuadrin negociues të Serbisë për anëtarësim dhe të hapave të Kosovës drejt integrimeve.
(Zëri i Amerikës)