Kurti: Nga 1 tetori, arsimi i lartë publik në Kosovë do të jetë pa pagesë

Prishtinë, 17 shtator 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se nga 1 tetori i këtij viti do të hiqen pagesat për të gjithë e nivelit Bachelor dhe Master të universiteteve publike të Kosovës. Ai tha se do të ketë lehtësime edhe për studentët e doktoratës.

“Nga një tetori i këtij viti, duke filluar nga viti akademik 2021/2022, arsimi i lartë në Kosovë do të jetë pa pagesë për të gjithë ata që dëshirojnë të studiojnë për nivelin Bachelor dhe Master, ndërsa ata të Doktoratës do të kenë lehtësime”, tha Kurti të premten, në një konferencë për medie.

“Besojmë që në këtë formë nxisim interesimin për studime të larta, duke përmirësuar nivelin e përgjithshëm arsimor të popullsisë sonë dhe duke kontribuar në zhvillimin e kapitalit njerëzor që është parakusht për zhvillim ekonomik e për progres shoqëror”, theksoi ai.

Kurti tha se nga ky vendim do të përfitojnë studentët e të gjitha katëgorive si edhe studentët e vendeve të rajonit që studiojnë në universitetet publike të Kosovës.

“Nga ky vendim do të përfitojnë të gjitha kategoritë e shoqërisë. Do të përfitojnë edhe studentët e vendeve të tjera, sidomos të atyre të vendeve të rajonit, të cilët do të trajtohen sikurse të gjithë studentët tjerë”, tha Kurti.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se me këtë vendim studentët e universiteteve publike lirohen nga pagesa e tarifave për regjistrim.

Ajo bëri të ditur se për universitetet publike sivjet do të ndahen 1.7 milionë euro.

(r.m.)