Bled, 29 gusht 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë raportet, para se aleatët të nisin të merren me zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Evropian.
Në një intervistë për “Bloombergun” në Slloveni, Kurti ka thënë se ekziston “një ndjenjë urgjence për ta implementuar marrëveshjen dhe që të normalizohen raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, më së voni deri në pranverën e vitit të ardhshëm”.
Përpos urgjencës për zbatim të marrëveshjes së normalizimit, Kurti ka thënë se është i gatshëm edhe për organizimin e zgjedhjeve të reja komunale në veri, sipas marrëveshjes së arritur me emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.
Kurti ka komentuar edhe masat e vëna nga Perëndimi ndaj Kosovës, pasi që Qeveria nuk përfilli kërkesat e aleatëve që të mos i dërgojë kryetarët e rinj të komunave në veri, në objektet komunale.
“Masat po na dëmtojnë në aspektin e mbështetjes financiare dhe materiale të fondeve dhe granteve dhe kredive që marrim nga BE-ja. Po dëmtojnë agjencitë tona shtetërore dhe komunitetin tonë të biznesit”, ka thënë ai.
Kurti është shprehur se “Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja duan të ndihmojnë dhe përkrahin Kosovën”. Por gjithashtu duan ta largojnë Serbinë nga ndikimi rus, ka shtuar ai.
Për të, kthimi në marrëveshjen e Ohrit është e vetmja rrugë përpara. “Marrëveshja është në tavolinë ende”, ka thënë Kurti.
Kurti është duke qëndruar në Slloveni për Forumin e Bledit. Një ditë më parë, ai u përplas me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq. Derisa Kurti ka deklaruar se Serbia nuk po e zbaton marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, duke e bërë normalizimin të vështirë, Bërnabiq e ka kontestuar shtetësinë e Kosovës. Në panelin ku morën pjesë edhe kryeministrat e Shqipërisë, Bullgarisë, Kroacisë, Maqedonisë së Veriut e Bosnjë-Hercegovinës, Kurti ka thënë se Serbia nuk e ka ndryshuar qasjen e saj as ndaj Kosovës e as ndaj BE-së.
Në këtë forum u konfirmuan edhe një herë pozicionet e dy shteteve të cilat së shpejti do t’i rikthehen tavolinës së bisedimeve, pas paralajmërimeve nga BE-ja se në shtator do të ketë intensifikim të dialogut. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në adresimin e tij ka thënë se duhet të ketë pajtim mes shteteve në Ballkanin Perëndimor dhe u shpreh optimist për anëtarësimin e rajonit më 2030
Zgjedhjet në Bashkimin Evropian do të mbahen në qershor, ndërsa ato në SHBA në nëntor.
(Telegrafi)