Kurti: Normalizimi i raporteve me Serbinë të mos përzihet me çështjen e anëtarësimit në KE

Prishtinë, 6 maj 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se procesi i normalizimit të raporteve të Kosovës me Serbinë nuk duhet të përzihet me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KE).

Zyra e Kryeministrit njoftoi se Kurti, në takimin që ka zhvilluar të hënën me ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Kosovë (Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë) dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ka thënë se nëse këto përzihen do t’u bëhet dëm i pariparueshëm edhe dialogut në Bruksel edhe Këshillit të Evropës.

“Kryeministri kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg; se procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimi të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon. Këto dy procese nuk duhet të përzihen pasi nuk e ndihmojnë njëra-tjetrën. Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, thuhet në komunikatën për media.

Kurti citohet të ketë thënë se Neni 7 i Marrëveshjes e rrugës për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, ku flitet për sigurimin e një niveli të duhur të vetëmenaxhimit, “nuk mund të nxirret nga pakoja e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit”.

 “Kryeministri e ritheksoi se dokumenti i ofruar si draft statut nga Lajçak për zbatimin e nenit 7 ndërlidhur me atë 10, nuk është pranuar me 26 tetor të vitit të kaluar në Bruksel”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Kurti u ka thënë diplomatëve të Pesëshes se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim në KE.

“Me letrën e garancisë, Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim, prandaj edhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me vetë votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 16 prillit, të mbështetur në masën 82% (131 kundrejt 29)”, thuhet tutje, derisa kreu i ekzekutivit të Qeverisë u tha se i ka bërë thirrje vendeve të QUINT-it ta mbështesin anëtarësimin më 17 maj.

(r.m.)