Kurti: Nuk do të lejojmë krijimin e diçkaje që do të minonte shtetësinë e Kosovës

Delphi (Greqi), 1 maj 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të lejojë krijimin e një trajte të Republikës Srpska në veri të Kosovës.

Kurti i ka bërë këto komente në një intervistë për agjencinë kroate të lajmeve “Hina”, në Delphi të Greqisë, në prag të një raundi të ri të dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

Në takimin e Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, më 2 maj, do të prezantohet drafti i statusit të komunave në veri të Kosovës, që është një pikë kyçe e negociatave mes dy palëve. Pala serbe e ka prioritet formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila është paraparë me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Ndërkaq, pala kosovare refuzon një Asociacion që do të kishte kompetenca ekzekutive, diçka si Republika Srpska në Bosnjë e Hercegovinë.

Kurti ka thënë se ende nuk e ka parë draftin e asociacionit, i cili është hartuar nga Bashkimi Evropian.

“Do të kem mundësinë të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, ndonëse mendoj se do të ishte më mirë që të ma kishin prezantuar fillimisht në Prishtinë. Megjithatë, dëshiroj të sigurohem se është përmbushur ajo për çfarë kemi rënë dakord më 27 shkurt, në Bruksel – ekzistimi i një niveli të duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e minoriteteve”, ka thënë Kurti.

“Por, ajo që ne nuk do të lejojmë është e drejta e territorializimit dhe krijimin e diçkaje që do të ngjante me Republikën Srpska në Bosnjë e Hercegovinë. Ne nuk do të lejojmë një parashtet satelitor me thelb shkatërrues që do të minonte shtetësinë e Kosovës”, ka theksuar ai.

“Vendi ynë është një vend normal demokratik që u jep të drejta individuale dhe të tjera qytetarëve të vet, por nuk lejon territorizim në bazë etnike, sepse është kundër demokracisë dhe republikës”, shtoi Kurti.

“Sovraniteti dhe integriteti territorial është diçka që nuk guxon të cenohet’, ka theksuar ai.

“Unë dua marrëdhënie normale me Serbinë, marrëdhënie evropiane, marrëdhënie të mira fqinjësore. Mbrojtja e minoriteteve është e rëndësishme për ne. Por ne nuk mund t’i japim pushtetin ekzekutiv komunitetit lokal sepse pushtetet ekzekutive i përkasin Qeverisë dhe komunave”, ka shtuar ai.

“Gjithashtu, duam të forcojmë shërbimet publike që do t’u ofrohen të gjithë qytetarëve pa dallim etnie dhe jo t’u ofrojmë për shkak të përkatësisë etnike të tyre. Pra, të presim dhe të shohim se si do të zhvillohet takimi në Bruksel”, ka theksuar Kurti.

Ai ka thënë se pikënisje e takimit të tij me Vuçiqin do të jetë nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

(r.m.)