Kurti: Nuk ka kurrfarë keqpërdorimi me rezervat shtetërore në Kosovë

Prishtinë, 18 gusht 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mohoi të premten në mbrëmje dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe e mori në mbrojtje ministren e kësaj ministrie, Rozeta Hajdari.

“Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në ministren [e Industrisë] Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin”, tha Kurti, në një videomesazhi për publikun.

Ai i bëri këto komente disa orë pasi Prokuroria e Posaçme e Kosovës i arrestoi tre persona (dy zyrtarë të ministrisë dhe një afarist) nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

“97 për qind vlerës së blerë vitin e kaluar ka mbërrirë në Kosovë, përfshirë këtu 99,5 për qind të sasisë së grurit që tashmë ndodhet në depo në vendin tonë, e për pjesën e mbetur, kompanitë furnizuese kanë obligim të hapur për ta përmbushur kontratën, dhe nëse nuk e bëjnë këtë janë procedurat ligjore. Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”, tha ai.

Kurti e akuzoi “elitën e vjetër dhe të korruptuar politike, gjykatësit e prokurorët e saj dhe mediat e keqpërdoruara pёr mbështetje tё krimit” se po përpiqet të kthejë “ish sistemin e kalbur e tё korruptuar” të drejtësisë.

“Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbështetje tё krimit. Edhe pse tё paktë nё numër, përfitimet e tyre kanё qenë shumëmilionëshe, andaj edhe nuk kanë se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj. Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar. Nё rastin mё tё mirё ata po përpiqen pёr tё ruajtur disi pasurinё e akumuluar me hajni e korrupsion, monopolet artificiale e tё dёmshme që i kanë bërë me krim e keqpërdorim tё detyrës zyrtare. Por, do tё dёshtojnё si nё aspiratën e tyre pёr kthim tё keqpёrdorimit, ashtu edhe nё synimin pёr përbaltjen e atyre qё kontribuojnë pёr moskthim tё asaj periudhe”, theksoi Kurti.

Para Kurtit e bëri të njëjtën gjë ministria Rozeta Hajdari. Në një konferencë për media, të preemten pasdite, ajo tha se i mirëpreet hetimet, por theksoi se nuk ka asnjë dyshim te zyrtarët që u arrestuan të premten në mëngjes.

Ministrja Hajdari shprehu bindjen se arrestimet lidhur me rezervat shtetërore janë përpjekje e grupeve të interesit dhe subjekteve të korruptuara nga sistemi i kaluar, përfshirë elementë të sistemit të drejtësisë dhe medie të caktuara. 

Arrestimet e së premtes nxitën reagimin e opozitës, e cila kërkoi përgjegjësi nga zyrtarët e lartë qeveritarë, përfshirë ministren Hajdari dhe kryeministrin Kurti.

Aksioni i autoriteteve të rendit në MINT vjen pas publikimeve të disa audio-incizimeve nga portali ‘Nacionale’, ku zyrtarët e kësaj ministrie pretendojnë se vaji i ushqimit i kontraktuar dhe i paguar për rezervat shtetërore të Kosovës nuk mbërriti kurrë në Kosovë. Sipas audio-incizimeve, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me rezervat e grurit.

Ministria Hajdari ka bërë padi në gjykatë ndaj portalit dhe pronarit të tij.

(r.m.)