Prishtinë, 9 shkurt 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se propozimi i Bashkimit Evropian që njihet si plani franko-gjerman, nuk është marrëveshje finale, por është një kornizë apo një marrëveshje bazike, jo përfundimtare.
Këto komente kryeministri Kurti i bëri gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, ku në pyetjet parlamentare, deputetët opozitarë kreun e Qeverisë për mostransparencë lidhur propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo marrëveshje, e cila është e vërtetë se ka paragrafë e fjali të tëra që merren nga modeli i dy Gjermanive, sërish është veçse një marrëveshje bazë, jo marrëveshje ligjërisht e obligueshme, ndërkombëtarisht obliguese çfarë na nevojitet neve”, tha kryeministri.
“Duhet kuptuar se nuk ka pasur mundësi që të vijnë nga Brukseli, Berlini e nga Parisi që të na sjellin marrëveshjen finale. Kjo nuk është e mundshme sepse kjo do shumë procese negociatash të thella e të gjata”, tha ai.
Emisarët evropianë, emisarët franko-gjerman, shtoi Kurti “nuk na kanë sjellë një dokument në stilin ‘merre ose lëre’”.
Ndërkaq, sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti tha se në propozimin franko-gjerman nuk është as parakusht e as në qendër.
“Ajo çka i duhet Kosovës është njohja reciproke dhe marrëveshje finale pa njohje reciproke në qendër nuk do të ketë”, tha Kurti .
Partitë politike opozitare në Kosovë në seancën e së enjtes kanë ngritur një varg kritikash në drejtim të kryeministrit Kurti lidhur me propzimin e BE-së për normalizim të marrënieve mes Kosovës dhe Serbisë .
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tha se në dy takime lidhur me dialogun Kosovë-Serbi që kishte zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti, i janë dorëzuar dy dokumente të ndryshme.
Dokumenti i parë parashihte njohjen reciproke me Serbinë, ndërkaq, dokumenti tjetër nuk përmbante marrëveshjen finale dhe, sipas Abdixhikut, “ishte larg dokumentit që i kishte propozuar Kurti në takimin e parë”.
Ai ka pyetur kryeministrin për ta kuptuar se “çfarë ka nënshkruar dhe se në marrëveshjen e pranuar në parim a bëhet fjalë për marrëveshje përfundimtare ligjërisht të obligueshme apo për marrëveshje bazë”.
“As unë, as LDK-ja dhe asnjë parti tjetër në Kuvendin e Kosovës nuk jemi në dijeni mbi përmbajtjen e saktë të draftit të dokumentit në fjalë (propozimi franko-gjerman), sepse as unë e asnjë parti tjetër nuk ka qenë pjesë e negociatave dhe nuk ka qenë e informuar asnjëherë për këtë proces dhe përfundimin e tij”, tha Abdixhiku.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti se qëndrimet rreth planit franko-gjerman po i mban të fshehura dhe se nuk është transparent në këtë çështje.
“Dialogu nuk është çështje private mes teje dhe Vuçiqit, por është çështje shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Krasniqi.
Krasniqi tha se për PDK-në mjafton që kryeministri ta ushtrojë përgjegjësinë konkrete, ligjore dhe kushtetuese, të dialogojë dhe të arrijë marrëveshjen që e respekton identitetin dhe sovranitetin shtetëror e kushtetues të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, Kurti tha se është i hapur për të diskutuar për të gjitha gjërat që lidhen më propozimin e BE-së.
Ai tha se për këtë ose duhet takim ose raportim në Kuvendin e Kosovës, por me dyer të mbyllura.
“Procesi i dialogut duhet të jetë transparent, por konfidencialiteti i bisedimeve të jetë aty. Nëse unë e thërras një seancë të Kuvendit ku flasim për detajet e përmbajtjes kjo është me shumë rrezik për Kosovën. Nëse e bëjmë me dyert e mbyllura dhe e thërret opozita është më lehtë”, tha ai.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Hardinaj, tha se nuk duhet vënë faj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, pasi që kjo çështje është e trashëguar nga qeveritë e mëparshme.
Ai ka kërkuar nga deputetët që të tregohen të sinqertë në këtë drejtim.
Ajo çka është me rëndësi për Kosovën dhe këtë proces, shtoi Haradinaj, është të dihet se si po e menaxhon Qeveria dialogun me Serbinë.
“Këtu mund të hyjmë në kritika dhe ka vend për shumë kritika, si për transparencë, si për menaxhim të situatës. Për mua dhe AAK-në është i pranueshëm propozimi franko -gjerman. I kërkoj kësaj qeverie, pranoje dhe mos u vono. Ta kthejmë juridiksionin në veri, t’i mbajmë zgjedhjet në veri. Të nisemi drejt partneritet për paqe sa më shpejt sepse situatën e sigurisë në Ballkan nuk e kemi si duhet të jetë”, tha Haradinaj.
Kryeministri Kurti më 6 shkurt ka thënë se e pranon propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “duke e konsideruar atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”.
Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi u është dorëzuar dy vendeve në fund të verës së vitit të kaluar, por përmbajtja e tij nuk është bërë publike.
Ky propozim, në të cilin ka pasur qasje REL-i, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.
Propozimi i Bashkimit Evropian, që më herët njihej si plani franko-gjerman, ka marrë mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së, që ka mbështetjen edhe të SHBA-së, që nga viti 2011. Procesi synon të normalizojë raportet mes shteteve. Por, Kosova dhe Serbia kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket përfundimit të procesit.
(REL)