Kurti: Nuk kemi nevojë për asociacione që shkaktojnë tensione në Kosovë

Prishtinë, 2 shkurt 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur edhe një herë gatishmërinë për vazhdimin e dialogut me Serbinë, duke theksuar se ky duhet të jetë dialog për njohje reciproke.

“Jemi të gatshëm për bisedime, për dialog parimor. Dialogun e duam për marrëveshje për njohje reciproke”, ka thënë ai, në një adresim për medie.

Por, ai është shprehur kundër formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, siç ishte parashikuar në marrëveshjen e nënshkruar në Bruksel nga ish-kryeministrat e Kosovës Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa.

Kurti ka kujtuar se kjo marrëveshje nuk e kishte kaluar “testin” e Gjykatës Kushtetuese dhe ka theksuar se Kosova nuk ka nevojë për asociacione që shkaktojnë tensione.

“Sa i përket Asociacionit, ju e dini shumë mirë që Gjykata Kushtetuese më 2015 e ka publikuar Aktgjykimin e vet me të cilin ka thënë se asnjëri prej 7 kapitujve të Asociacionit nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe në 23 nene nuk ka përputhje. Rrjedhimisht, ai Asociacion nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese. Unë besoj që edhe serbët po sikur shqiptarët, turqit, boshnjakët, romët e qytetarët tjerë të Kosovës kanë nevojë për punësim dhe jo për asociacione që na i prishin raportet tona dhe na i shtojnë tensionet, ndërsa e gëzojnë dikë në Beograd. Nuk ka qenë asnjëherë (formimi i Asociacionit) kërkesë e serbëve të Kosovës. Serbët e Kosovës duan punë dhe drejtësi”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë gjithashtu se serbët, sikurse të gjithë qytetarët e Kosovës, kanë nevojë për vende pune dhe për drejtësi.

Kurti ka thënë se ai është kryeministër edhe i serbëve të Kosovës dhe është i obliguar të trajtojë kërkesat dhe nevojat e tyre.

“Qeveria është e përkushtuar që kushtetueshmëria të zbatohet në mënyrë të plotë në gjithë territorin e vendit. Unë do të dëgjoj të gjitha kërkesat e serbëve të Kosovës, sepse unë jam kryeministër edhe i tyre”, është shprehur Kurti.

(r.m.)