Kurti: Nuk mund të bëj kompromis me Republikën, bandat kriminale duhet të kthehen në Serbi apo të futen në burg

Prishtinë, 4 qershor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë se Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës do të largohen nga ndërtesat e komunave në veri, por më parë “bandat e dhunshme kriminale duhet të kthehen në Serbi apo të futen në burg”.

“Nëse këto ndërtesa nuk janë për kryetarët tanë atëherë kujt duhet t’i shërbejnë ato. Kryetarët janë në zyrat e tyre dhe kështu duhet të jetë e qëndrojë. Ne mund të rishikojmë largimin e Policisë nga këto ndërtesa. Por, së pari bandat e dhunshme kriminale, të cilat kanë sulmuar e plagosur gazetarët, policët tanë dhe ushtarët e NATO-s, duhet të kthehen në Serbi apo të futen në burg”, ka thënë Kurti në një intervistë për transmetuesin publik britanik BBC.

Kurti ka thënë se nuk do “ta dorëzojë Republikën demokratike ta milicia fashiste”, të cilën e ka cilësuar si krijesë të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Ne nuk mund të dorëzojmë Republikën demokratike te kjo milicia fashiste, që paguhet nga një autokrat në Beograd, që ishte edhe ministër i propagandës së Millosheviqit. Ata nuk distancohen nga e kaluara nga Millosheviqi, nuk distancohen nga e tashmja nga despoti Vladimir Putin. Serbia është vendi i vetëm në Evropë që s’i ka vënë sanksione Rusisë”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amrrikës dhe Bashkimi Evropian, të cilat kanë kërkuar tërheqjen epolicisë së Kosovës nga ndërtesat komunale në veri, janë aleatë dhe miq të pakontestueshëm të Kosovës, por ka theksuar se tërheqja nuk mund të ndodhë derisa atje qëndron “milicia fashiste”.

“Ne i konsiderojmë SHBA-të, BE-në, Britaninë e Madhe, aleatë dhe miq të pakontestueshëm, dhe u jemi shumë mirënjohës për lirinë dhe pavarësinë tonë dhe për zhvillimin e demokracisë. Gjithsesi ne nuk mund tua dorëzojmë Republikën tonë, milicisë fashiste e cila paguhet nga autokratët në Beograd, i cili dikur ka qenë ministër i propagandës së Millosheviqit”, ka thënë Kurti.

“Në këto tri komuna, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, i kemi tri ndërtesa, dhe nëse jo kryetarët, atëherë kush duhet të jetë në to? Nëse nuk janë për kryetarët, kujt i shërbejnë ato? Kryetarët janë në zyrat e tyre, dhe kështu duhet të jetë. Ato ndërtesa janë asete të Republikës së Kosovës. Dikur kanë qenë struktura paralele të Serbisë, por ato janë struktura ilegale, të krijuara me fonde të Beogradit zyrtar, i cili dëshiron ta destabilizojë shtetin tonë, me idenë e Beogradit për të krijuar një botë të madhe serbe. Ne e kundërshtojmë diçka të tillë”, ka shtuar ai.

(r.m.)