Prishtinë, 3 qershor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën se nuk mund të ketë kryetarë të rinj në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – pa zgjedhje të reja.
“Unë e kuptoj që zgjedhjet që janë mbajtur në veri të Kosovës, kanë pasur dalje shumë të ulët dhe legjitimiteti është i vakët, mirëpo këta kanë pak legjitimitet, e ata të tjerët kanë aspak legjitimitet”, ka deklaruar Kurti.
Kurti u është referuar kryetarëve të rinj shqiptarë, të cilët i kanë fituar mandatet në këto komuna, në procesin zgjedhor të prillit, të cilin e kanë bojkotuar pjesëtarë të komunitetit serb.
Tensionet janë rritur në veri, pasi serbët lokalë janë duke protestuar rregullisht prej 29 majit në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potik, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.
Më 29 maj, protesta ka përshkallëzuar në dhunë, mes pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe protestuesve serbë.
Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.
Disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë dhënë shenja se mund të ndodhë diçka e tillë.
Krahas thirrjeve ndaj Kosovës, Serbisë i është kërkuar që kërkuar që t’i tërheqë forcat e armatosura nga zona afër kufirit, dhe që të ulë nivelin e gatishmërisë ushtarake, si dhe të kërkojë nga protestuesit në veri të jenë në qetë.
Kurti ka vlerësuar se gjithçka është duke shkuar drejt normalizimit dhe se kjo do të mund të bëhej edhe më shpejt, “po të mos ishin obstruksionet e Beogradit”.
“Për t’u bërë normalizimi, adresa ku duhet të bëhet trysnia nuk është Prishtina, që është kryeqyteti i shtetit më demokratik, e me policinë më profesionale në Ballkanin Perëndimor, por është Beogradi, i cili duke mos u distancuar nga krimet e [ish liderit serb, Sllobodan] Millosheviqit”, ka thënë mes tjerash Kurti.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësim të BE-së, i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, më 2011.
Palët i kanë nënshkruar disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.
(REL)