Kurti: Nuk mund të ketë zgjedhje në veri para se të shtensionohet situata

Prishtinë, 26 korrik 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se Kosova është duke i kryer përgatitjet për zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore, por theksoi se zgjedhjet në këto komuna nuk mund të mbahen derisa nuk shtendoset situata atje.

“Nuk besoj që dikush pret që pa u bërë deeskalimi i plotë të ketë zgjedhje në veri. Por, natyrisht që ne e vazhdojmë punën edhe më tutje. Ne jemi duke u përgatitur që të ketë zgjedhje të parakohshme”, tha ai të mërkurën, pas mbledhjes së Qeverisë.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës është e interesuar që zgjedhjet të mbahen sa më parë, por theksoi se zgjedhjet do të mbahen në pajtim me dispozitat ligjore.

“Në do të sigurohemi që kjo përvojë e re që do ta kemi, me ndërprerjen e mandatit të këtyre kryetarëve në veri, të ketë mbështetjen dhe garancitë ligjore dhe procedurale. Pra, duhet të sigurohemi që procesi si i tillë të jetë aq i sigurt sa të jetë i pasfidueshëm në kuptimin legal dhe juridik”, theksoi ai.

Kurti tha se pret që paraprakisht Bashkimi Evropian t’i heqë masat që ka vendosur ndaj Kosovës.

“Natyrisht që presim të hiqen sa më parë dhe është e logjikshme që kjo të ndodhë paraprakisht. S’bëhet fjalë për kushtëzime, por për rend logjik të gjërave që duhet ta ketë si hap të parë zbatimin e dakordimit ndërmjet Bislimit e Lajçakut për 3 qershorin, i realizuar në Bratislavë dhe e krijon normalitetin minimal për zgjedhjet e parakohshme”, tha Kurti.

Ai tha se “nuk mund të mohohet se në veri të Kosovës tashmë ka ndodhur një lloj deeskalimi “, por theksoi se Qeveria e Kosovës tani është e shqetësuar nga “potenciali i ri-eskalimit” në Beograd.

“Ri-eskalimi nuk varet prej neve. Ju e keni garanci Qeverinë e Kosovës, organet tona shtetërore, mua si kryeminstër, që me asgjë, asnjëherë e askund nuk kontribuojmë në eskalim. Nëse ka eskalim, atëherë adresa është Beogradi zyrtar”, theksoi Kurti.

Serbët, të cilët janë shumicë në këto komuna, nuk i njohin kryetarët shqiptarë të zgjedhur në zgjedhjet e jashtëzakonshme, ndonëse ata i kishin bojkotuar kolektivisht ato zgjedhje, me rekomandim të Beogradit.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë që në katër komunat veriore të Kosovës (Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut) të mbahen zgjedhje të parakohshme, në të cilat duhet të marrin pjesë serbët.

Kosova ka thënë se pajtohet me mbajtjen e zgjedhjeve të reja në këto katër komuna, të cilat janë pjesë e kërkesave të BE-së për shgtendosjen e situatës në këto komuna, duke zbatuar me përpikmëri dispozitat ligjore e kushtetuese.

(r.m.)