Kurti nuk shkon në Prokurori sepse gjendet jashtë shtetit, por i “mirëpret” prokurorët në zyrën e tij

Prishtinë, 16 dhjetor 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale të Kosovës, ku është ftuar në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal që është duke u hetuar nga kjo prokurori.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, ka thënë se prokurorët e rastit janë njoftuar nga Kabineti i Kryeministrit se Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit, kështuqë e ka të pamundur të paraqitet në prokurori. 

Ajo ka shtuar se Prokuroria do ta përgatisë një ftesë tjetër për Kurtin, konform ligjit në fuqi. 

“Prokuroria Speciale, përmes thirrjes së rregullt, e ka ftuar kryeministrin Albin Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal që kjo prokurori e ka në hetim. Sot nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është informuar se kryeministri Kurti gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet. Prokuroria Speciale konform legjislacionit në fuqi do ta përgatisë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti, për një datë tjetër. Ende nuk është vendosur data për ftesën tjetër”, ka thënë Kozmaqi.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se vizita e kryeministrit Kurti ishte në agjendë para se atij t’i dërgohej ftesa që të paraqitet në prokurori.

“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë”, është shprehur Kryeziu. 

Ai ka thënë se Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i presë në zyrën e tij prokurorët e rastit në hetim.

“Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët, për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, ka deklaruar Kryeziu. 

Kryeministri Kurti ishte ftuar të paraqitet nga Prokurorinë Speciale sot (e hënë), në orën 09:30 në cilësinë e dëshmitarit. Prokuroria nuk ka treguar se për cilin rast është ftuar të dëshmojë kryeministri.

Mediet në Kosovë, duke iu referuar burimeve brenda prokurorisë, raportuan se Kurti është ftuar si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore.

Mahmut Halimi, avokat i Ridvan Muharremit, njërit nga të akuzuarit lidhur me këtë rast, e ka vënë në pikëpyetje bazën ligjore për thirrjen eventuale të kryeministrit Kurti në këtë rast, pas vendimit të Gjkatës së Apelit për lirim nga paraburgimi të të dyshuarit Muharremi.

“Gjykata e instancës më të lartë ka konstatuar se nuk ekziston dyshimi i bazuar se është kryer vepër penale, sepse prokuroria nuk ka ofruar prova për dyshimin e bazuar”, ka thënë avokati Halimi.

(r.m.)

Comment

*