Kurti paralajmëron luftë ndaj grupeve kriminale transnacionale në Kosovë

Prishtinë, 10 dhjetor 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar mobilizim të institucioneve dhe organeve kompetente për të luftuar grupet kriminale transnacionale.

“Lidhjeve e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit transnacional ne do t’i përgjigjemi me luftë të përbashkët ndërmjet zyrtarëve të institucioneve pa dallim etnie dhe bashkëpunimin ndërkombëtar me aleatët tanë”, ka thënë ai.

Kurti e ka bërë këtë deklaratë në hapje të mbledhjes së qeverisë, duke folur për vendimin e Departamentit të Thesarit të SHBA-së që të fuse në listën e sanksioneve 13 qytetarë serbë të Kosovës.

Ai ka thënë se vendimi i SHBA “tregoi qartë adresat konkrete të vatrave të kriminalitetit” dhe ka shtuar se ky vendim dëshmon arsyeshmërinë e operacionit policor kundër kontrabandës në veriun e Kosovës që u zhvillua në muajin tetor.

Kurti ka thënë se vendimi i Departamentit amerikan të Thesarit e ka arsyetuar operacionin policor kundër kontrabandës në veriun e Kosovës gjatë tetorit 2021.

Në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit gjenden edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq dhe Zvonko e Zharko Vesellinoviq, Sërgjan Vulloviq, Zhelko e Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq, biznesmenë nga veriu i Kosovës.

Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Vesellinoviq identifikohet si udhëheqës i grupit të krimit të organizuar dhe si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

Në vendim thuhet se ky grup kriminal “është i angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë”.

(r.m.)