Prishtinë, 12 tetor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, paralajmëroi të enjten se ekziston rreziku që strukturat kriminale serbe të kryejnë akte të tjera dhune në Kosovë ose të inskenojnë situata që do të ngritnin tensionet në Kosovë.
Kurti, në mbledhjen e qeverisë, tha se institucionet e sigurisë së Kosovës kanë konstatuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme të strukturave të Serbisë në Kosovë me qëllim që të fajësojnë Policinë e Kosovës dhe ta paraqesin atë si forcë shtypëse për serbët e Kosovës. Ai kujtoi se regjimi i Sllobodan Millosheviqit në Serbi kishte inskenuar incidente ndëretnike meqëllim që të realizonte qëllimet ekspansioniste dhe theksoi se Serbia “asnjëherë më parë nuk i ka ngjarë më shumë regjimit të Millosheviqit”, në metoda e veprime.
“Institucionet e sigurisë së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupet e strukturave të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për ta arritur këtë nuk kanë vënë çmim në tavan. Nuk do të zgjedhin mjet. Mbështetja e grupit terrorist që ka marrë nga Serbia në njërën anë duke i trajtuar si heronj, në anën tjetër duke intensifikuar aktivitetet e ushtrisë pranë kufirit me Kosovën vetëm sa i inkurajuar ata. Deshën ta ndryshojnë realitetin në terren përmes organizimeve paramilitare, nuk ia arritën. Provuan ta keqpërdorën Manastirin e Banjskës, nuk ia arritën. Tani formacionet kriminale të sponsorizuara nga fqinji ynë verior në skenarin e tyre destabilizues, ka shumë të ngjarë që dallimet etnike t’i keqpërdorin për synime politike. Javën që lamë pas u shënua 23-vjetori i rrëzimit të Millosheviqit, 23 vjet pas asnjëherë më parë nuk i ka ngjarë më së shumti Serbisë së Millosheviqit ky pushtet në Serbi, në botëkuptime, në metoda, në sjellje e në veprime”, tha ai.
“Dokumentimi i përfshirjes së të paktën katër shtresave të shtetit serb, duke filluar nga Presidenca, shërbimet e inteligjencës, Ministria e Mbrojtjes dhe ushtria, në frymëzimin, përgatitjen dhe furnizimin në pjesëmarrjen në sulmin terrorist në fshatin Banjskë janë motiv shtesë për skenarë të tjerë destabilizues”, theksoi Kurti.
Kryeministri i Kosovës tha se lirimi i Milan Radoiçiqit më pak se 24 orë pas arrestimit është dëshmi dhe sinjal i qartë i potencialit për rigrupim dhe për hakmarrje për dështimin e planit të Beogradit në Banjskë, më 24 shtator. Ai u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të jenë të vëmendshëm e të vetëpërmbajtur dhe të mos bien pre e dezinformatave dhe provokimeve të grupeve kriminale që nuk ua duan të mirën.
“U bëj thirrje serbëve që ditëve të fundit të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet dhe aktet e dhunës dashakeqe. Në Kosovë, jemi të gjithë të barabartë sepse shteti është ligjor dhe demokratik. Nuk ka komunitete të padëshiruara. Të raportoni sjelljen e dyshimta në komunitetet tuaja, t’i përcillni njoftimet e institucioneve, të ruani qetësinë në çdo situatë dhe të mos bini pre e dezinformatave”, theksoi Kurti.
(r.m.)