Kurti paralajmëron rritje të investimeve amerikane në Kosovë

Prishtinë, 29 maj 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e vlerësoi të frytshme vizitën e tij në shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai i cilësoi si “përmbajtësore dhe të frytshme” takimet e tij me senatorë dhe kongresmenë amerikanë dhe ka paralajmëruar rritje të investimeve amerikane në Kosovë.

“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kam takuar 7 senatorë (4 demokratë dhe 3 republikanë) dhe 12 kongresistë (9 demokratë dhe 3 republikanë) si dhe 7 zyrtarë të lartë të qeverisjes amerikane ku duhen theksuar Jacob Sullivan në Shtëpinë e Bardhë – Këshilltar për Siguri Kombëtare i presidentit Biden, Alice Albright – kryeshefe ekzekutive e Koorporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, Samantha Poëer – udhëheqëse e USAID-it, pastaj 2 guvernatorë të shteteve etj. Kam vizituar dhe mbajtur prezantime në 7 universitete. Kam takuar dhjetëra biznese dhe kam mbajtur 12 tubime me bashkatdhetarët tanë shqiptaro-amerikan. Që të gjitha këto takime e tubime ishin përmbajtësore, miqësore dhe të frytshme. Në Kosovë do të shtohen edhe investimet edhe siguria”, tha Kurti të dielën, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti foli edhe për qeverisjen njëvjeçare, të cilën e vlereësoi shumë të suksesshme. Ndër të tjera, ai veçoi aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Imazhi i Kosovës ka një përmbajtje të re dhe më tërheqëse sikurse në drejtim politik ashtu edhe ekonomik. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për Këshillin edhe mundësi për Kosovën që të përparojë edhe më shumë në fushën e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit”, shtoi ai.

Kurti tha se tashmë kanë nosur përgatitjet për pranimin e Kosovës në Programin e Parneritetit për Paqe të NATO-s dhe paralajmëroi se Kosova do të aplikojë shumë shpejt edhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje u diskutua edhe për zgjedhjet e brendshme në parti që do të mbahen gjatë këtij viti. Kurti i kushtoi rëndësi të veantë përfshirjes së mërgatës në procesin zgjedhor të partisë.

“Mërgata shqiptare gjithherë ka luajtur një rol shumë të vlefshëm në politikë, ekonomi, kulturë e zhvillim në Kosovë, në Shqipëri e gjetiu, e po ashtu në forcimin e identitetit dhe përfaqësimit të dinjitetshëm të shqiptarëve si komb, gjithandej botës”, theksoi Kurti.

(r.m.)