Prishtinë, 7 shtator 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka kujtuar 33 vjetorin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të 7 shtatorit të vitit 1990, e njohur si “Kushtetuta e Kaçanikut”.
Kurti, në një dedikim për këtë ngjarje të rëndësishme të historisë së shtetndërtimit të Kosovës, thekson se aspirata e populllit të Kosovës për pavarësi, e shprehur në demonstratat e vitit 1981, u bë fakt historik me Kushtetutën e Kaçanikut, kurse realitet politik u bë më 17 shkurt 2008.
“Në kujtim të përpjekjeve të asaj gjenerate që për herë të parë e shpalli Kosovën republikë. Nga parullë popullore e demonstratave të vitit 1981 “Kosova Republikë” u bë fakt historik në Kaçanik më 7 shtator 1990, para se të bëhej realitet politik më 17 shkurt 2008”, thekson ai.
Kurti sjell në kujtesë historinë e hartimit dhe miratimit të “Kshtetutës së Kaçanikut” dhe personazhet që kanë marrë pjesë në procesin e hartimit të dispozitave kushtetuese dhe personazhet që kanë marrë pjesë në organizimin e seancës së Kuvendit të Kosovës.
Dedikimi i plotë të Kurtit:
Për 33 vjetorin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të 7 shtatorit 1990
Pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990, autori i saj, Profesor Gazmend Zajmi dhe një grup i përbërë nga juristët më të zotë të Kosovës, u mblodhën fshehur në Prishtinë për të ndarë detyrat mes tyre: ata do ta hartonin një kushtetutë demokratike për ta shpallur Kosovën republikë. Preambulën e Kushtetutës dhe kapitullin Dispozitat e Përgjithshme, e mori përsipër ta hartonte Profesor Kurtesh Saliu.
Kapitullin Rendi Ekonomik dhe Social, do ta hartonte Profesor Ejup Statovci. Kapitullin Liritë, të Drejtat dhe Detyrat e Njeriut dhe Qytetarit e mori për detyrë ta hartonte Profesor Ismet Salihu. Kapitullin Kushtetutshmëria dhe Ligjshmëria, do ta hartonte Fatmir Fehmiu. Kapitulli Organet Republikane iu caktua për detyrë Halit Muharremit. Kurse kapitulli Dispozitat Kalimtare dhe të Fundit, do ta hartonte Profesor Riza Smaka. Në një kohë rekorde prej më pak se një muaji, ata e përgatitën Kushtetutën e Republikës së Kosovës, tekstin e së cilës, teknikisht e shkroi Nexhmije Ajazi.
Mirëpo për ta miratuar këtë kushtetutë, duhej caktuar koha, duhej gjetur vendi i duhur si dhe duhej krijuar rrethanat e përshtatshme, duke llogaritur veçanërisht regjimin shtypës policor serb në Kosovë atë kohë. Qëllimisht u vendos që mbledhja të mbahej në qytetin e Kaçanikut, qëllimisht në një ditë të premte dhe qëllimisht në mbrëmje vonë. Organizimi i mbledhjes së Kuvendit të Kosovës, në Kaçanik i ishte ngarkuar një këshilli të përbërë nga Hebib Shehu, Bedri Kyçyku, Fadil Raka, Refik Raka, Sabit Raka dhe Maksut Hoxha. Shumë njerëz të tjerë, kryesisht banorë të Kaçanikut u angazhuan në këtë organizim.
Një grup i parë do t’i priste delegatët 3 kilometra jashtë Kaçanikut. Derisa të vinte koha e caktuar për mbledhje, një grup i dytë do t’i sistemonte delegatët duke i strehuar ata te familjet Shehu, Lika, Burrniku, Kuka, Shurdhani etj. Një grup tjetër i përbërë nga ish policë, të prirë nga Tahir Çaka, e kishte për detyrë të ofronte sigurinë për mbajtjen e mbledhjes dhe të kujdestaronte. Ata ishin të armatosur dhe të gatshëm për t’i mbrojtur delegatët në rast se ky organizim merrej vesh nga policia. Një grup ishte caktuar për përcjelljen e delegatëve pas takimit. Paraprakisht ishin menduar tri rrugë për tërheqjen e delegatëve nga Kaçaniku: rruga e parë, ishte përmes Hanit të Elezit; rruga e dytë shkonte nëpërmjet fshatrave Gajre, Ivajë, Kotlinë dhe Glloboqicë; si dhe rruga e tretë kalonte nga Stanet e Brrutëve në Dërnogllavë dhe prej andej në Bllacë.
Delegatët që kishin ardhur direkt në mbledhje, priteshin te stacioni i trenit në Kaçanik nga delegati Naser Gashi bashkë me Emin Rakën, të cilët pastaj i shoqëronin delegatët deri në Shtëpinë e Kulturës. Në rast se gjërat do të shkonin keq, ishte menduar që mbledhja të mbahej në shkollën e fshatit Nikaj të Kaçanikut, ky si një plan B, për të cilin ishte angazhuar Shefket Guri.
Bibliotekistët Isa Gashi dhe Haki Raka do ta përgatisnin sallën ku do të mbahej mbledhja në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik, kurse Refik Verbani do të kujdesej për teknikën e zërimit. Për ta dëshmuar këtë ngjarje historike, ishin ftuar gazetari Zenun Çelaj, fotoreporteri Enver Bylykbashi dhe kameramani Mamer Dogani. Të tyre janë fotografitë dhe videoincizimet aq të mirënjohura të asaj mbledhje. Nënshkrimet e delegatëve ishin marrë që më parë, por në mbledhje arritën të merrnin pjesë rreth 80 nga 111 delegatët e Kuvendit të Kosovës.
Kështu plot 33 vite më parë, më 7 shtator të vitit 1990, në ora 20:00, në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Kaçanik nisi mbledhja që do ta shpallte Kosovën republikë. Mbledhja u drejtua nga Iljaz Ramajli, Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, kurse Rezolutën për Republikën e Kosovës e lexoi Halit Muharremi, Sekretari i Kuvendit.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, u miratua “duke u mbështetur në traditën demokratike shekullore përparimtare e liridashëse të kombit shqiptar” si dhe “duke u mbështetur në luftën çlirimtare”, përveçse “në pajtim të plotë me parimet e demokracisë e të barazisë dhe në bazë të së drejtës për vetëvendosje”. Ajo e shprehu vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës në fillim të një dekade luftërash në Jugosllavi, një dhjetëvjetësh nga i cili Kosova doli e çliruar nga Serbia pushtuese, falë rezistencës së popullit të saj dhe luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të mbështetur nga aleatët tanë.
Në kujtim të përpjekjeve të asaj gjenerate që për herë të parë e shpalli Kosovën republikë. Nga parullë popullore e demonstratave të vitit 1981 “Kosova Republikë” u bë fakt historik në Kaçanik më 7 shtator 1990, para se të bëhej realitet politik më 17 shkurt 2008.
(r.m.)