Kurti pas raportimeve për tentim atentat ndaj tij: Ka shumë kërcënime nga struktura të Serbisë

Prishtinë, 10 shkurt 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka komentuar të shtunën në Prishtinë raportimet se kishte pasur plane për atentat ndaj tij, gjatë qëndrimit në Shkup, të premten në mbrëmje.

Ai ka thënë se gjatë mbledhjes së partive simotra të socialistëve, në Shkup, kishte vënë re se kishte pasur forca të shumta policore, por nuk ishte ndjerë i rreikuar.

“Nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që kujdeseshin për mbledhjen që e mbajtëm e ku mysafir special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se është njoftuar për kërcënime të shumta ndaj tij që vijnë nga individë dhe struktura me “rrënjë” në Beogradinm zyrtar.

“Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura, të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar”, ka thënë Kurti.

Radiotelevizioni i Kosovës, RTK, duke iu referuar burimeve të besueshme brenda institucione të sigurisë në Kosovë, ka raportuar se nga disa burime kishin marrë informacione se kishte plan për atentat ndaj kryeministrit Kurtit, gjatë qëndrimit të tij në Shkup, të premten në mbrëmje.

Sipas këtyre burimeve, kërcënimet për jetën e Kurtit janë vlerësuar serioze, prandaj institucionet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut kishin marrë masa të rrepta të sigurisë në Shkup, të premten në mbrëmje, kur Kurti ishte në këtë qytet.

Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut kishte njoftuar për “regjim të posaçëm të komunikacionit” gjatë kohës së qëndrimit të Kurtit në Shkup, më 9 e 10 shkurt.

“Ministria e Brendshme njofton opinionin se sot dhe nesër (9 dhe 10 shkurt) për shkak të vizitës së paralajmëruar zyrtare të një delegacioni të kryesuar nga kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Siguria Rrugore Njësia e RSSH-së Shkup do të marrë masa për regjim të veçantë të komunikacionit për përdoruesit e rrugës në zonën e gjerë qendrore të qytetit të Shkupit. U bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik që t’u binden urdhrave që do të jepen nga punonjësit e uniformuar të policisë”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

(r.m.)