Kurti për “El Pais”: Spanja duhet të njohë Kosovën, rastet e Katalonisë dhe baskëve janë të ndryshme nga ai i Kosovës

Madrid, 19 gusht 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Spanja duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ai ka thënë se rastet e Katalonisë dhe baskëve nuk janë të njëjta me rastin e Kosovës.

“Spanja duhet të pajtohet dhe ta njohë Kosovën. E di që ka disa ankesa, por, siç ka thënë shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, kur fitoi çmimin ‘Princi i Asturias’: ‘Spanja nuk duhet të krahasohet kurrë me Serbinë, sepse Serbia bëri gjenocid në Kosovë’. Besoj se pikërisht me njohjen e Kosovës, Spanja tregon se Katalonja dhe baskët janë raste të ndryshme”, ka thënë Kurti, në një intervistë për gazetën spanjole “El Pais”, të premten.

Kurti ka thënë se njohja e shtetit të Kosovës do ta ndihmonte Spanjën ta dëshmonte se rastet e katalonasve dhe baskëve nuk janë të njëjta me rastin e Kosovës. ai ka kujtuar se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë.

Kryeministri Kurti ka folur edhe për situatën dhe zhvillimet në Ballkan. Ai ka thënë se Rusia po përpiqet për destabilizimin e vendeve në kufij të Bashkimit Evropian.

(r.m.)