Talin (Estoni), 18 nëntor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të premten se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është në komunikim të vazhdueshëm me Brukselin për të gjetur një zgjidhje për çështjen e targave të automjeteve të lëshuara nga Serbia.
“Jemi duke bërë çmos për ta mbrojtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit tonë, nga njëra anë, dhe paqen e sigurinë, nga ana tjetër”, ka thënë Kurti në Talin, në konferencën për media me kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas.
Ai ka thënë se është optimist, megjithëse, siç është shprehur, “qasja e Beogradit ka qenë shumë destruktive”.
“Unë jam optimist, por qasja e Beogradit ka qenë shumë destruktive. Në ditët e ardhshme do të shohim se sa të suksesshëm do të jemi në këto negociata të reja”, është shprehur ai.
Kurti ka thënë se mbi 90 për qind të automjeteve të serbëve janë të regjistruara me targa të Kosovës.
“Janë 9 mijë vetura me targa ilegale serbe. Kjo është më pak se 10 për qind e veturave që i kanë serbët në Kosovë, kështu që është një pakicë ekstreme e serbëve që janë duke i refuzuar këto targa. Kemi pasur një dallim në qasje dhe sekuencim të zbatimit, duke nisur vetëm me qortim”, ka thënë Kurti.
Por, Kurti ka theksuar se objektiv kryesor i dialogut me Serbinë mbetet marrëveshja përfundimtare.
“Ne kemi nevojë për marrëveshje përfundimtare me Serbinë, për normalizim të marrëdhënieve me njohje reciproke”, ka theksuar ai.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Këto makina qarkullojnë kryesisht në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe kontrollohet në masë të madhe nga Beogradi zyrtar.
Qeveria e Kosovës ka marë vendim që të gjitha automjetet me targa të lëshuara nga Serbia të riregjistrohen me targa RKS (Republika e Kosovës), por Serbia e kundërshton këtë vendim, duke kërkuar që serbët të përdorin targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
BE-ja dhe SHBA-ja i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, me qëllim shmangien e tensioneve.
(r.m.)