Kurti për rastin e Klan Kosovës: Zbatimi i rregullave kundër një shkelësi të vetëm nuk kërcënon pluralizmin mediatik

Prishtinë, 29 korrik 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka komentuar vendimin e Ministrisë së Industrusë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për refuzimin e ankesës së televizionit Klan Kosova për pezullimin e certificates së biznesit gjë që rezulton me ndërprerjen e veprimtarisë.

Kurti, në një postim në Twitter, i ka dhënë mbështetje të plotë MINT-it për, siç ka thënë, “kryerjen e detyrave përballë interesave të fuqishme të biznesmenëve të pasur”.

Ai ka thënë se ndjekja e rregullave të regjistrimit të bizneseve “është detyrë ligjore e jo ‘teknikalitet’”.

“Kosova ka 468 biznese të regjistruara, aktiviteti primar i të cilave është media dhe 114 kompani të licencuara audio apo audiovizive. Ndjekja e rregullave të regjistrimit është detyrë ligjore, jo një “teknikalitet”. Dhe zbatimi i rregullave të tilla kundër një shkelësi të vetëm nuk kërcënon pluralizmin mediatik”, ka shkruar ai në Twitter.

Kurti ka thënë se Zyra e Kryeministrit i mbështet organet kompetente “në kryerjen e detyrave të tyre, përballë interesave të fuqishme të biznesmenëve të pasur të rreshtuar kundër tyre”.

“Në demokraci, organet e autorizuara për të vendosur për raste të tilla nuk qëndrojnë në Zyrën e Kryeministrit. Megjithatë, këto organe kanë mbështetjen e plotë të Zyrës sonë në kryerjen e detyrave të tyre, përballë interesave të fuqishme të biznesmenëve të pasur të rreshtuar kundër tyre”, ka shkruar ai.

Kurti ka mohuar se heqja e certifikatës së biznesit për televizionin Klan Kosova përbën sulm ndaj lirisë së medies dhe ndaj demokracisë. Sipas tij, demokracia “sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare”.

“Liritë e medias janë jetike: sulmi ndaj tyre është sulm ndaj demokracisë. Por, demokracia gjithashtu sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare. Dhe zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë – në asnjë mënyrë – nuk përbën sulm ndaj lirisë së medias”, shkruan kryeministri Albin Kurti.

(r.m.)