Kurti: Për takimin në Bruksel do të vendos pasi ta mësoj për gjendjen e tre policëve të kidnapuar

Prishtinë, 19 qershor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ai është njoftuar se më 22 ose 23 qershor, në Bruksel, mund të mbahet takimi i tij i radhës me presidentin Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por ai nuk ka vendosur ende nëse do të shkojë ose jo.

Kurti ka thënë se vendimin do ta marrë pasi të njoftohet për gjendjen e tre policëve kufitarë të Kosovës që po mbahen në burgun e Kralevës, të cilët pritet t’i vizitojë shefi i  Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari.

“Kur t’i kem të dhënat nga vizita e tre policëve tanë që po mbahen peng në Serbi si hakmarrje për luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit në Kosovë, do ta marr vendimin dhe do ta jap njoftimin. Vizita (e Jasharit v.j.) është menduar për ditën e nesërme dhe unë do të jem në kontakt me ambasadorin që të më njoftojë për gjendjen e këtyre policëve që po mbahen rob në Serbi”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se ai ka kërkuar nga Policia e Kosovës që numrin e pjesëtarëve të saj në katër komunat veriore ta reduktojë gradualisht dhe proporcionalisht me situatën e  sigurisë dhe sundimin e ligjit.

“Për shkak se ka ekstremistë të ndryshëm dhe për shkak se ka grupe kriminale, duhet të ketë Polici të Kosovës në këto ndërtesa. Unë kam kërkuar që Policia e Kosovës ta zvogëlojë numrin e policëve gradualisht, paralelisht me sundimin e ligjit, që bën që të përballen me drejtësi ata kriminelë që sulmuan KFOR-in dhe gazetarët. Për Policinë e Kosovës, çdo komunë është e njëjtë dhe veprimi i tyre bëhet duke u bazuar në Kushtetutë”, ka thënë Kurti.

(r.m.)