Kurti: Policët tanë janë rrëmbyer derisa po hanin drekë

Prishtinë, 20 qershor 2023 – Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se ambasadori i Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, ka takuar sot (e martë) tre policët e Kosovës të rrëmbyer nga forcat serbe, të cilët po mbahen në burg nga autoritetet e Serbisë.

Kurti ka thënë se ambasadori Jashari i ka takuar ndaras tre policët dhe se ata kanë rrëfyer të njëjtin version të rrëmbimit të tyre.

“Ambasadori Jashari sot i ka vizituar ndaras tre policët, të cilët po mbahen peng nga Serbia. Përshkrimi i tre policëve se si ka ndodhur rrëmbimi është i njëjti. Janë tri rrëfime ndaras të njëjta”, ka thënë ai në një konferencë të jashtëzakonshme për media, në Prishtinë.

Kurti ka thënë se tre policët kanë treguar se kanë qenë duke ngrënë drekë kur janë rrëmbyer nga 15 pjesëtarë të forcave serbe.

“Ata thonë se në momentin e rrëmbimit kanë qenë duke ngrënë drekë, kur 15 persona i kanë rrethuar, i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Që të tre e thonë rrëfimin e njëjtë kur pyeten ndaras nga ambasadori ynë”, ka thë Kurti.

Ai ka theksuar se policët kosovarë janë rrëmbyer në territorin e Serbisë dhe ka treguar se prangat e plastikës me të cilat u ishin lidhurduart policëve janë gjetur 670 metra larg kufirit me Serbinë.

“Ne jemi në të drejtën tonë dhe dëshmitë që posedojmë dokumentojnë qartë se policët ishin brenda territorit të Kosovës kur u rrëmbyen. Nuk bëhet fjalë për arrestim në Serbi, por rrëmbim në Kosovë. Policët ishin në nivel të detyrës, në luftim të kontrabandës. Ata që pretendojnë se policët janë arrestuar në Serbi duhet ta shpjegojnë se si lidhëset e tyre të plastikës, si pranga, janë gjetur një kilometër larg kufirit në pjesën veri-perëndimore, 670 metra larg në veri-lindje nga kufiri me Serbinë”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se është i gatshëm të shkojë në takimin e radhës në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të paraqitur informacionet e detajuara lidhur me rrëmbimin e tre policëve dhe ka theksuar se lirimi i tyre dhe dënimi i agresionit të Serbisë në Kosovë është hap drejt deeskalimit të situatës në veri.

“Do të komunikoj edhe me Brukselin dhe jam i gatshëm dhe i interesuar të shkoj në takimin e radhës në Bruksel në mënyrë që të paraqes hollësisht këto të dhëna që i morëm dhe ta kuptojnë që de-eskalimi i situatës të cilin po kërkojnë të gjithë, nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të policëve të Kosovës dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka treguar se takimet e ambasadorit Jashari me tre oficierët policorë – Beqir Sefa, Rifat Zeka dhe Shemë Mustafa – kanë zgjatur nga 15 minuta.

“Takimet janë mbajtur të ndara nga 15 minuta secili, dhe ata kanë treguar ngjarjen e rrëmbimit të tyre”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja ka ndarë detaje nga biseda që kanë pasur tre oficerët me ambasadorin Jashari.

“Më 14 qershor rreth orës 12:30 minuta, duke ngrënë drekën, papritmas janë rrethuar nga rreth 15 persona të uniformuar, të cilët më vonë kanë rezultuar të jenë pjesëtarë të forcave të sigurisë së Serbisë, të cilët i kanë sulmuar dhe çarmatosur dhe pastaj me thes në kokë i kanë dërguar tek makinat e tyre”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka thënë se zyrtari policor Beqir Sefa ka treguar se disa nga pjesëtarët e forcave të sigurisë së Serbisë kanë shkrepur me armë në ajër.

“Në momentin e kidnapimit ata kanë qenë duke ngrënë drekë në tavolinën e improvizuar, e cila është menjëherë afër gropës së parë dhe 15 metra larg gropës së dytë. Gropat hapen për të bllokuar kalimin përmes rrugëve ilegale. Të dyja gropat janë brenda territorit të Kosovës, sepse ne nuk hapim gropa në territorin e Serbisë”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka thënë se, pas kidnapimit, policët e rrëmbyer ata janë dërguar në Rashkë dhe as një ore janë dërguar në Beograd, ku janë mbajtur deri më 16 qershor, kur ka skaduar afati 48 orësh i mbajtjes në polici.

Gërvalla ka treguar se policët e rrëmbyer kanë thënë se gjatë kohës që kanë qenë në ndalim policor nuk janë keqtrajtuar fizikisht, por nuk u është dhënë ushqim i mjaftueshëm. Ajo ka treguar edhe për gjendjen shëndetësore të njërit prej policëve,

“Kanë treguar se nuk janë maltretuar fizikisht, mirëpo nuk iu është dhënë ushqim i mjaftueshëm vetëm nga një copë bukë. Ndërkaq Shem Mustafa i cili ka probleme kronike shëndetësore i është dhënë vetëm një injeksion dhe një pompë me frymëmarrje”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka treguuar se pas shqiptimit të masës së paraburgimit tre policët e rrëmbyer janë trajtuar në mënyrë korrekte.

“Nga momenti i shqiptimit të paraburgimit ata janë vendosur në Kralevë, në dhoma të veçanta. Sipas tyre, trajtimi është korrekt, u jepet ushqim në baza të rregullta ditore, edhepse cilësia është jo e mirë”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka thënë se të tre policët janë takuar me avokatët mbrojtës dhe janë njoftuar se familjarët e tyre mund t’i vizitojnë ditën e premte.

(r.m.)