Kurti: Policia e Kosovës është angazhuar në veri sipas detyrës zyrtare

Prishtinë, 26 maj 2023 – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccia, për të diskutuar në lidhje me situatën në vend, thuhet në një njoftim të Zyrës së Kryeminisrit të Kosovës.

Ky takim pasoi zhvillimet në veri të Kosovës, gjatë të premtes, më 26 maj, kur policia e Kosovës asistoi hyrjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të komunës së Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.

Grupe të banorëve lookalë kundërshtuan hyrjen e krytarëve të rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut në zyrat e tyre në ndërtesat e komunav, të cilat janë udhëhequr nga serbët deri në dorëheqjen e tyre të sugjeruar nga Beogradi.

“Kryeministri Kurti e njoftoi komandantin Ristuccia se Policia e Kosovës është angazhuar që sipas detyrës zyrtare t’ua mundësojë këtyre kryetarëve hyrjen në vendin e tyre të punës prej nga ata duhet dhe do t’ju shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim e pa diskriminim”, thuhen në njoftim.

“Kryetarët e komunave, të zgjedhur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, duhet t’i ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, për të ofruar shërbime publike cilësore për të gjithë qytetarët, pa pengesa”, citohet të ketë thënë Kurti.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian i kanë dënuar veprimet e Qeverisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës dhe kanë kërkuar ndalimin e menjëhershëm të masave të dhunshme.

(r.m.)