Bruksel, 22 qershor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është e gatshme për zgjedhje të reja në katër komunat veriore. Por, ai ka theksuar se kjo duhet të bëhet në bazë të ligjit.
“Për zgjedhjet e parakohshme jemi të hapur, por duhet të kenë zgjidhje ligjore. S’mund të bëhen jashtë ligji. Siç e parasheh ligji, ta zëmë, me nënshkrime të qytetarëve, që t’ia përfundojnë mandatin një kryetari. Kjo është një zgjidhje brenda ligjit. Por s’mund të bëjmë zgjidhje joligjore”, ka thënë Kurti, të enjten në Bruksel, pas takimeve me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Ai ka shtuar se për zgjedhje të lira dhe demokratike duhet të ketë sundim të ligjit, fushatë të lirë parazgjedhore dhe proces të rregullt zgjedhor.
Kurti, duke folur për kërkesën për tërheqjen e policisë nga objektet komunale në katër komunat veriore, ka thënë se policia po qëndron në veri për të reaguar ndaj akteve të dhunshme e jo për të ndërhyrë. Ai ka thënë se policia do të tërhiqet nga ndërtesat komunave kur nga zona të tërqihen ekstremistët e dhunshëm.
“Për bindjen time deeskalimi duhet të nënkuptojë largimin e ekstremistëve të dhunshëm, të grupeve kriminale e ilegale, që menjëherë do të përcillej me zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në ndërtesat e komunave”, është shprehur ai.
Kurti ka thënë se në takimet me Borrellin ka paraqitur dëshmi që tregojnë tre policët e Kosovës se janë rrëmbyer nga forcat serbe brenda territorit të vendit dhe se ka kërkuar reagim të ndërkombëtarëve lidhur me këtë akt agresioni ndaj Kosovës.
Kryeministri i Kosovëës ka thënë se ka shenja për lëvizje drejt deeskalimit të situatës në veri dhe ka shprehur keqardhje që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka refuzuar një takim trepalësh.
“S’mund të them që situata është e sigurt dhe kemi paqe të qëndrueshme, por nga optimizmi i ndërmjetësit shoh se ka shenja që ditët përpara janë më të mira se ato që kemi lënë pas. Por, mbetet të shihet. Jam i hendikepuar sepse s’ka pasur takim direkt”, ka thënë Kurti.
Kurti ka theksuar se mosnënshkrimi i Marrëveshjes bazike drejt normalizimit është një nga shkaktarët e situatës në pjesën veriore të Kosovës.
Më herët, Borrelli ka shpalosur para medieve kërkesat e BE-së: tërheqjen e kryetarëve të komunave dhe të policisë nga objektet komunale, tërheqjen e protestuesve serbë dhe organizimin e zgjedhjeve të reja me pjesëmarrjen plotë të serbëve.
Borrelli ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të rrëëmbyer nga forcat serbe dhe hetim për trajtimin e serbëve të arrestuar për akte dhune në veri.
(r.m.)