Kurti pranon këshillën e SHBA-së, shtyn për 48 orë shqiptimin e gjobave për targat

Prishtinë, 22 nëntor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe.

Faza e dytë e zbatimit të vndimit që parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarë që qarkullojnë me automjete me targa të tilla.

Kërkesa për shtyrje 48-orëshe të vendimit që do të hynte në fuqi të martën, më 22 nëntor, është bërë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të hënën në mbrëmje.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës shtyrje 48-orëshe të vendimit për shqiptimin e gjobave, për t’i lejuar zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë që të angazhohen me Kosovën dhe Serbinë për të gjetur zgjidhje për këtë çështje.

““SHBA-ja është e shqetësuar që udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë nuk qenë në gjendje të arrijnë një marrëveshje sot për zgjidhje të krizës aktuale në Kosovë. Ne kemi kërkuar nga qeveria e Kosovës të pezullojë për 48 orë shqiptimin e gjobave për t’u lejuar Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të angazhohen më tej me palët për të gjetur një zgjidhje”, thuhet në deklaratën e ambasadorit Hovenier.

Në përgjigje të kësaj kërkese, kryeministri Kurti ka thënë se është i gatshëm të punojë me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme.

“Unë e falënderoj ambasadorin Hovenier për përkushtimin dhe angazhimin e tij. E pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh për vendosjen e gjobave për targat e paligjshme ‘KM’ (dhe të tjera). Jam i lumtur që do të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, ka shkruar ai.

 

Departamenti amerikan i Shtetit është shprehur i zhgënjyer që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk arritën marrëveshje për këtë çështje, në takimin disaorësh që zhvilluan në Bruksel, të hënën, më 21 nëntor.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se palët “duhet të bëjnë koncesione për të siguruar që nuk rrezikojnë paqen e arritur me vështirësi në një rajon veçse të brishtë”.

Të zhgënjyer për mosarritje të marrëveshjes janë shprehur edhe Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe NATO-ja.

(r.m.)