Kurti premton 1 miliard euro për ushtrinë në mandatin e ardhshëm qeverisës

Prishtinë, 26 mars 2025 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të qeverisë, ka folur sërish për mandatin katërvjeçar të qeverisjes, por ka bërë edhe premtime për mandatin e ardhshëm të qeverisjes, pavarësisht paqartësisë se a do të mund t’i sigurojë votat e nevojshme për themelimin e qeverisë.

Ndër rezultatet e qeverisë së tij në këtë mandat Kurti e ka veçuar rritjen e buxhetit për ushtrinë, ndërsa për mandatin e ardhshëm qeverisë premtoi se do të ndahet mbi 1 miliardë euro për ushtrinë.

“Buxheti për ushtri është trefishuar, investimet në armatim janë shumëfishuar përfshirë dronët ‘Bayraktar’ dhe kontratën për funksionalizimin e fabrikës së municionit. Në mandatin e ri për ushtrinë do t’i ndajmë mbi 1 miliardë euro dhe do të kemi fabrikë të municionit dhe fakbikë të dronëve ushtarak ‘Made in Kosova’ që do t’i prodhojmë vetë”, tha ai.

Kurti tha se në mandatin e ardhshëm qeverisë do të rritet edhe buxheti për sektorin e shëndetësisë. Ai tha se buxheti për listën e barnave esenciale do të rritet në 100 milionë euro.

“Në mandatin që na pret do të vazhdojmë me investime spital pas spitali, do të ndërtojmë dy spitale të reja dhe gjashtë poliklinika specialistike, kurse buxhetin për listën e barnave esenciale që tashmë është në nivel rekord do ta ngrisim deri në 100 milionë euro”, tha ai.

Ndër sukseset e qeverisjes së tij katërvjeçare Kurti e veçoi konvertimin e targave ilegale të automjeteve dhe të patentëshoferëve të lëshuara në Serbi, si edhe shuarjen e strukturave ilegale serbe në veri.

“Tabela ilegale dhe patentë shoferë nuk ka më, sepse janë konvertuar në ‘RKS’. Strukturat ilegale janë mbyllur dhe atje funksionojnë tashmë institucionet e Kosovës që u shërbejnë qytetarëve pa dallim”, u shpreh Kurti.

Ai e veçoi fillimin e faturimit të energjisë elektrike në katër komunat në pjesën veriore të vendit dhe faturimit të tatimit në prone në këto komuna.

(r.m.)

Comment

*