Kurti: “Pres vendim të drejtë” të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut mbi Ligjin për Gjuhët

Prishtinë, 18 nëntor 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur të hënën në Prishtinë përse është vendosur që takimi i përbashkët i Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut të mbahet tani, kur në Shkup po diskutohet për Ligjin e Gjuhëve, me çka vihet në pikëpyetje përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe.

Kurti ka thënë se çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut i takon Gjykatës Kushtetuese të këtij vedi, pasi tri dispozita të Ligjit për Gjuhët janë dërguar në Komisionin e Venecias.

“Në Maqedoni të Veriut nuk ka ligj për përdorim të gjuhës shqipe dhe nuk ka pasur as në të kaluarën. Ekziston Ligji për përdorim të gjuhëve, që e përmend shifrën 20 për qind, por nuk është ligj për përdorim të gjuhë shqipe, është për përdorim të gjuhëve”, ka thënë Kurti, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Ai ka thënë se nga gjykata pret “vendim të drejtë, që nuk bën përjashtime dhe respekton shumëgjuhësinë”.

Ditë më parë, kreu i partisë më të madhe opozitare në Maqedoninë e Veriut, Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) ka thënë se priste që në mbledhjen e përbashklët të qweverive të dy vendeve të diskutohej edhe për Ligjin për Gjuhët, pasi Gjykata Kushtetuese maqedonase pritet ta rishikojë dhe, siç është shprehjur, “me gjasë do ta shfuqizojë” nenin 9 të këtij ligji.

Kur një gazetare e ka pyetur Mickoskin për ndikimin e tij të mundshëm në Gjykatën Kushtetuese kur është fjala për këtë ligj, Mickoski ka thënë se shumica e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut janë përzgjedhur nga BDI-ja dhe se ai nuk di p٥rse ekziston përshtypja që ai ka ndikim në të gjitha partitë.

Sipas tij, kjo çështje është aktualizuar tani, sepse po luftohet krimi dhe korrupsioni dhe kanë mbetur në hije politikanët që kanë krijuar karrierë politike mbi këto baza.

Ligji për Gjuhët, i cili ka hyrë në fuqi më 2019, e ka bërë gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.

Ky ligj ka pesë vjet që qëndron në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ai ka nisur të trajtohet pak muaj pasi VMRO-DPMNE-ja mori pushtetin në Maqedoninë e Veriut, parti që kishte kundështuar këtë ligj në të kaluarën.

Me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut detyrohen të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve të vendit.

Kjo përfshin gjuhën shqipe, e cila përmendet si gjuha e një pjese të konsiderueshme të popullatës dhe përkufizohet në nenin e parë të këtij ligji. Gjithashtu, ligji siguron përdorimin e gjuhëve të tjera të komuniteteve me përfaqësim më të vogël se 20 për qind.

(r.m.)