Kurti pret që marrëveshja mes Kosovës e Serbisë të nënshkruhet në takimin e Ohrit

Prishtinë, 9 mars 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pret që marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë të nënshkruhet në takimin e tij me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që do të mbahet më 18 mars, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kurti e shprehu këtë qëndrim të enjten, në takimin me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

‘Në takim u diskutua për përgatitjen e takimit të nivelit të lartë të caktuar për datën 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Kryeministri Kurti theksoi gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë që të jetë një palë konstruktive, e përgjegjshme dhe e përkushtuar në parimet e demokracisë liberale e të vlerave të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin e kabinetit të Kurtit.

“Në këtë frymë, ai gjithashtu shprehu pritshmërinë e tij që Bashkimi Evropian të punojë në drejtim të përmbylljes së suksesshme të procesit të Marrëveshjes për Normalizim përmes nënshkrimit zyrtar të saj në takimin e radhës”, përfundon njoftimi.

Ndërsa Lajçak shfaqi shpresën se plani i zbatimit të marrëveshjes për norlalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë do të miratohet nga tëdy palët në takimin e Ohrit.

“Ne shpresojmë se do të arrijmë të kemi një dokument për të cilin palët do të pajtohen më 18 mars në Ohër. Tash për tash është e pamundur të thuhet më shumë”, u tha Lajçak gazetarëve pas takimit me Kurtin, në Prishtinë.

Lajçak tha se në këtë fazë duhet të dihen hapat dhe afatet se si do të zbatohet propozimi evropian që synon të çojë palët drejt një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme.

“Në të kundërtën, [propozimi evropian] do të jetë vetëm një dokument i obligueshëm në aspektin politik, por jo zyrtarisht i obligueshëm”, tha Lajçak.

(r.m.)