Kurti prezanton pakon e ndihmës financiare për përballimin më të lehtë të inflacionit

Prishtinë, 3 shtator 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar të shtunën pakon e re financiare që ka qëllim të ndihmojë qytetarët për të përballuar më lehtë inflacionin.

Kurti, në konferencë për medie, bashkëme ministrin e Financave, Hekuran Murati,  ka njoftuar se prej muajit shtator deri në fund të vitit zyrtarëve publikë do t’u ndahen nga 50 euro në muaj, ndërsa punëtorëve të ndërmarrjeve publike do t’i jepet një shtesë e njëhershme e pagës prej 100 eurosh.

Kurti ka njoftuar edhe për mbështetjen e kategorive sociale, pensionistëve dhe studentëve.

Kurti ka thënë se Qeveria do të subvencionojë tre muaj bizneset private që i rrisin pagat e punëtorëve, me gjysmën e pagës së tyre të re.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se për pakon e përbakllimit të infracionit do të ndahen 150 milionë euro.

Ai ka paralajmëruar se së shpejti do të procedohet për miratim në Qeveri dhe në Kuvend, Projektligji për punë publike, i cili ka për qëllim kompensimin për inflacion për materiale ndërtimore dhe punët përcjellëse.

Kryeministri Kurti ka njoftuar se Qeveria e Kosovës do t’i subvencionojë të gjithë qytetarët që kursejnë energjinë elektrike.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se qeveria do të marrë përsipër 20 për qind të ndryshimit të vlerës së faturës me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

“Për shembull, nëse janë shpenzuar 1000 kilovatë/orë vitin e shkuar në shtator kurse sivjet në shtator 900 kilovatë/orë, mund të konsiderohet se është bërë kursim prej 10 për qind. Për këtë përqindje do ta mbështesim subvencionimin e faturës 20 për qind. Dyfishin e kursimit që e bëjnë qytetarët”, ka thënë Murati.

(r.m.)