Prishtinë, 4 gusht 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Policia e Kosovës do ta zvogëlojë për 25 për qind prezencën e saj vetëm afër ndërtesave komunale në veri, dhe jo në pjesën tjetër të vendit.
“Zvogëlimi vlen për praninë policore në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre, e jo për veriun e vendit, ku ka ende sfida e punë për sundim të plotë të rendit e ligjit”, ka thënë Kurti në një postim në Facebook.
Sikurse Kurti, edhe Policia e Kosovës, kanë thënë se zvogëlimi i prezencës do të nisë prej 4 gushtit, pasi situata e sigurisë është vlerësuar e qetë, në një takim me pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe pjesëtarë të misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX.
“Pra, siguria është e mirë, situata është e qetë, dhe mund ta zvogëlojmë ca praninë e policisë sonë. Sundimi i ligjit dhe rendi publik po mirëmbahen gjithnjë e më shumë e më mirë. Janë bërë rreth një muaj e gjysmë që nuk kemi incidente të theksuara e protesta të dhunshme”.
EULEX-i i ka thënë Radios Evropa e Lirë se e ka vërejtur zvogëlimin e prezencës së Policisë së Kosovës te ndërtesat komunale dhe situatën e sigurisë e ka konsideruar si pozitive.
Zvogëlimi i prezencës së policisë është një prej pikave të marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian më 10 korrik, për shtensionim të situatës në veri.
Tensionet janë rritur atje prej fundit të majit, pasi serbët lokalë e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Ata nuk i kanë pranuar kryetarët, ndonëse i kanë bojkotuar zgjedhjet.
Për disa javë, para ndërtesave janë mbajtur protesta çdo ditë, me kërkesë që kryetarët të tërhiqen, bashkë me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të angazhuar në atë zonë.
Një tjetër pikë e marrëveshjes parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.
Kurti ka thënë se Kosova është duke e zbatuar marrëveshjen me seriozitet.
“Konstatimi i përbashkët me faktorët ndërkombëtarë për përmirësimin e dukshëm të nivelit të paqes dhe sigurisë në veri dëshmon për de-eskalim të qartë. Njëkohësisht, ne jemi vigjilent për ri-eskalimin potencial që mund të vijë nga deklaratat që nxisin urrejtje dhe agresiviteti politik e shtetëror i fqinjit tonë verior”.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.
Ky peticion, sipas Krasniqit, do të dërgohej në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), që do ta verifikonte atë, dhe më pas do të niste një referendum me pyetjen se a duhet të shkarkohet kryetari.
Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, në zgjedhje të parakohshme për kryetar të komunës mund të shkohet në rast se kryetari aktual jep dorëheqje; në rast se qytetarët kërkojnë shkarkimin e kryetarit të komunës përmes një peticioni të nënshkruar nga 20 për qind e votuesve të komunës përkatëse; si dhe në rast se kryetari i komunës nuk paraqitet në vendin e punës më shumë se një muaj, pa arsye.
(REL)