Kurti: Propozimi për marrëveshje të paqes u refuzua nga Vuçiq

Bruksel, 19 korrik 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka propozuar një marrëveshje me gjashtë nene, si deklaratë e paqes midis Kosovës dhe Serbisë, por shtoi se ajo u refuzua “ende pa u lexuar”.

“Për mua kjo tregon mosgatishmërinë për marrëveshje, meqenëse u refuzua pa u lexuar fare”, tha Kurti, pas takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Të hënën, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u zhvillua rundi i radhës i bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Takimi ishte i dyti me radhë midis Kurtit dhe Vuçiqit.

“Kur ishte te dakordimi për një deklaratë të përbashkët, ne ishim dakord për pikën që në fund të muajit gusht të takohen udhëheqësit e delegacioneve tona. Gjithashtu të ketë edhe një takim tjetër në muajin shtator midis krerëve të dy vendeve tona dhe insistuam që aty ku shprehet zotimi ynë për të pagjeturit, të futet edhe togfjalëshi ‘ballafaqimi me të kaluarën’. Kjo u pranua në një mënyrë të zbutur nga ndërmjetësi [i BE-së, Josep] Borrell, po u refuzua nga presidenti i Serbisë”, tha Kurti.

“Unë nuk e kuptoj se përse do të duhet t’i frikësohemi kaq shumë ballafaqimit me të kaluarën, kur e dimë se problemet i kemi nga e kaluara”, tha ai.

Duke folur për mediat, Kurti tha se zëvendësi i tij, Besnik Bislmi, ka shpalosur në takim edhe “11 barrierat që Serbia ia vendos Kosovës në aspektin tregtar” dhe ka kërkuar eliminimin e tyre, por, shtoi ai, pala serbe nuk ka dashur të dëgjojë as për to.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur qysh në vitin 2011. Kurti tha se kjo “stërzgjatje” e procesit vjen për faktin se, për kohë të gjatë, “është evituar thelbi i tij”.

“Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën, mirëpo Serbia nuk dëshiron të diskutojë për këtë temë. Unë e kam theksuar disa herë që, për çështje teknike, i kemi ekspertët. Unë jam lider politik dhe do të flas për çështje politike. Dhe, thelbi është: njohja e ndërsjellë”, tha Kurti.

“Serbia duhet ta njohë Kosovën. Kosova duhet ta njohë Serbinë dhe gjithçka tjetër është pastaj e zgjidhshme dhe e kollajshme”, theksoi ai.

Kurti tha se në fund të muajit gusht do të takohen sërish përfaqësuesit e delegacioneve midis Kosovës dhe Serbisë, ndërsa një takim tjetër i tij me Vuçiqin, tha se mund të zhvillohet në shtator.

“Jemi konstruktivë, jemi aktivë, por natyrisht që nuk është kollaj, sepse nuk ekziston gatishmëri nga Serbia që të ballafaqohet me të kaluarën”, tha Kurti.

Ai tha se në takimin e sotëm janë shkëmbyer edhe disa “dhurata”.

“Unë u kam dhënë tri libra, ndërsa ata më kanë dhënë më shumë se tri ofendime. Por, librat janë më të rëndësishëm”, tha Kurti.

Ai shtoi se delegacionit serb i ka dhuruar librin e Natasha Kandiqit, që dokumenton vrasjen e fëmijëve në Kosovë më 1998/99, një libër me rrëfimet e grave të dhunuara nga forcat serbe në Kosovë dhe një libër për shfarosjen e shqiptarëve nga viti 1878 deri më 1884.

(REL)