Prishtinë, 13 qershor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e publikoi të martën agjendën e mbledhjes së përbashkët të qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë, e cila do të mbahet nesër (e mërkurë) në Gjakovë.
Kurti, në një konferencë për medie, tha se në këtë mbledhje do t’i kushtohet bashkëpunimit të komunave të zonës ndërkufitare.
“Veçanti e kësaj mbledhje, përveç momentit se kur po zhvillohet, është edhe takimi i përbashkët me Kryetarët e Komunave të Zonave Kufitare; Gjakovës, Pejës, Deçanit, Prizrenit dhe Dragashit në njërën anë, dhe Tropojës, Kukësit dhe Hasit në anën tjetër. Bashkë do të diskutojmë se si sfidat t’i kthejmë në mundësi, e mundësitë në përfitim të qytetarëve”, tha Kurti.
“Lëvizjes së lirë të qytetarëve në zonat ndërkufitare i kemi dhënë rëndësinë e duhur. Nëpërmjet marrëveshjeve të deritanishme e protokolleve zbatuese, e kemi rritur në 26 numrin e vendkalimeve të veçanta kufitare. Nga prilli i këtij viti, mbi 200,000 shtetas të Kosovës dhe të Shqipërisë që banojnë në zonat deri në 30 km nga kufiri tokësor kanë të drejtë të kalojnë kufirin lirshëm dhe të qëndrojnë në zonën kufitare, për arsye sociale, kulturore, familjare e shëndetësore”, shtoi ai.
Kurti tha se në mbedhjen e përbashkët të dy qeverive pritet të arrihen 13 të reja në fushën e drejtësisë, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, kulturës, ndërmarrësisë e mbrojtjes dhe një deklaratë të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë.
“Në rend të ditës së nesërme do ta kemi edhe diskutimin në lidhje me bashkëpunimin për realizimin e një qëllim të kamotshëm, atë të Bashkimit Doganor, krahas marrëveshjeve e memorandumeve të bashkëpunimit për njohjen e të drejtës për ushtrimin e profesionit të avokatit dhe ndërmjetësit; për bursa studentore; ofrimin e shërbimeve shëndetësore; lehtësimin e procedurave të kalimit të mallrave ushtarake dhe të produkteve me origjinë jo shtazore, etj”, tha ai.
Kryeministri i Kosovës tha se prej 41 marrëveshjeve të arritura në dy mbledhjet e fundit të dy qeverrive 39 janë zbatuar plotësisht, kurse dy të tjera janë në fazën finale të realizimit.
9r.m.)