Kurti: Qeveria do ta mbulojë koston e importit të energjisë

Prishtinë, 15 dhjetor 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkuren në mbrëmje, ka thënë se vendi është duke u përballur me krizë energjetike.

“Kriza energjetike tashmë ka arritur edhe në mesin tonë. Ballafaqimi me kriza të energjisë nuk është risi as për Kosovën e as për shtetet më të fuqishme në botë. Evropa po përballet me çmimet rekorde të energjisë të shtyra në masë të madhe globalisht nga çmimet shumë të larta të furnizimit me gaz”, është shprehur Kurti, në një konferencë për medie, pas mbledhjes virtuale të kabinetit të tij qeveritar.

Ai ka thënë se kapacitetet prodhuese të Kosovës nuk e mbulojnë konsumin.

“Ne kemi pasur fatin që kemi mundur të mbulojmë një pjesë të kërkesave nëpërmjet termocentraleve Kosova A dhe Kosova B. Në periudhën e dimrit rritet kërkesa për energji elektrike pikërisht për shkak të ngrohjes, prandaj kapacitetet e termocentraleve tona janë të pamjaftueshme. Kosova varet nga importi për të mbajtur dritat ndezur të gjithë”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se Qeveria do të bëjë maksimumin që të sigurohet furnizim i rregullt me energji dhe të shmanget rritja e çmimit të energjisë. Ai ka thënë se Qeveria do ta mbulojë koston e importimit të energjisë dhe ka treguar se nga Presidentja Vjosa Osmani është kërkuar autorizim për nënshkrimin e marrëveshjes për një kredi.

“Nga mbledhja me korrespodencë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, posa e miratuam vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për nënshkrimin e marrëveshjes për kredi ndërmjet Republikës së Kosovës, KOSTT-it dhe KFË-së për projektin e zhvillimit të sektorit të energjisë, përmirësimi i rrjetit të transmetimit”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti u është kundërpërgjigjur kritikave të opozitës lidhur më situatën energjetike në Kosovë. Për këtëe situatë ai e ka akuzuar opozitën e sotme, e cila ka qeverisur derimë tash.

Kurti ka thënë se në Korporatrën Energjetike të Kosovës (KEK) nuk është investuar, por është vjedhur.

“Ishte më me leverdi të vidhej nga KEK-u, se sa të investohej në KEK. Ne jemi në krye të detyrës. Shtetin e kemi gjetur për toke, por do ta ngrisim në këmbë”, është shprehur ai.

(r.m.)