Kurti: Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë garanci për themelimin e Asociacionit

Prishtinë, 30 dhjetor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë garanci për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në mënyrë që të hiqen barrikadat në pjesën veriore të vendit.

Ai ka thënë se Serbia synon “t’i barrikadojnë” 10 komuna të Kosovës siç i barrikaduan katër komunat veriore të vendit.

“Nuk ka garanci të tilla nga Qeveria e Kosovës. Asociacioni i komunave u bë asociacion i barrikadave. Ata i duan komunat që t’i bëjnë si barrikada. Ashtu siç i bënë 16 barrikada bashkë, duan që t’i bëjnë 10 komuna bashkë”, ka thënë Kurti për agjencinë e lajmeve Kosovapress.

Një ditë para heqjes së barrikadave, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, kishte thënë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian se kanë marrë garancitë “më të forta ndonjëherë” për themelimin e Asociacionit.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë ishte një nga kushtet kryesore të Beogradit për heqjen e barrikadave.

Lirimi nga parabirgimi të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq, ishte një kusht tjetër për heqjen e barrikadave. Vendimi për heqjen e barrikadave u mor ditën që Pantiqi u lirua  nga paraburgimi dhe u dërgua në arrest shtëpiak, me vendim të gjykatësit të procedures paraprake të Gjykatës Themelore në Prishtinë.  

(r.m.)