Kurti: Qeveria është e gatshme t’i adresojë shqetësimet e mediave

Prishtinë, 3 maj 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e udhëhequr prej tij është e gatshme “t’i adresojë shqetësimet e mediave” për të punuar drejt një peizazhi më transparent.

Në një postim në platformën “X”, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kurti ka theksuar se dezinformimi përdoret si armë sot.

“Në këtë Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit, ne duam të pranojmë përpjekjen që duhet për të ndriçuar të vërtetën në një kohë dezinformimi të madh që përdoret si armë. Qeveria jonë është e hapur dhe e gatshme të adresojë shqetësimet e mediave dhe të punojë drejt një peizazhi më transparent dhe pluralist”, ka shkruar Kurti.

Kosova ka rënë 19 vende më poshtë se vitin e kaluar në indeksin e Lirisë së Shtypit në Botë, të publikuar nga organizata “Reporterët pa Kufij”, të premten.

Kjo ka bërë që opozita, mediet dhe shoqëria civile të drejtojë kritika në adresë të qeverisë.

Pavol Szalai, nga organizata “Reporterët pa Kufij”, ka thënë se kjo rënie është pasojë e tensioneve midis Kosovës e Serbisë dhe shtimit të trusnisë së partisë në pushtet ndaj medias së pavarur.

“Këtë rënie ne duhet ta shohim në kontekstin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, në këtë kontekst, gazetarët në Kosovë janë përballur dhe kanë duruar shumë sulme fizike ndaj tyre. Janë me dhjetra sulme të tilla, ndërkohë që Partia në pushtet shtoi trysninë ndaj medias së pavarur. Ka patur dhe një lloj përndjekjeje administrative ndaj stacionit privat televiziv ‘Klan Kosova’. Nga ana tjetër, u bë zgjedhja e drejtorit të televizionit publik, i cili është i lidhur me kampin qeveritar. Pra, janë këto rreziqe të sigurisë dhe rreziqe politike, të cilat ju e dini se kanë patur pasoja të rënda mbi lirinë e shtypit në Kosovë”, ka thënë Szalai për Zërin e Amerikës.

(r.m.)