Kurti: Rama t’i dorëzojë Vuçiqit draft-statut për Luginë të Preshevës

Prishtinë, 13 qershor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e hodhi poshtë draftin e statutit të Asociacionit tëe komunave me shumicë serbe në Kosovë, të ofruar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kurti tha se këtë draft-statut, të cilit ia shtoi ndajshtesën “për pakicat kombëtare” Rama duhet t’ia ofrojë Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për Luginën e Preshevës.

“Unë nuk kam dyshim që kryeministri i Republikës së Shqipërisë, zoti Edi Rama beson që propozimi i tij i draft statutit është i mirë dhe duke qenë kështu atëherë krejt çfarë unë propozoj është që kryeministri Edi Rama këtë draft statut për pakicat kombëtare t’ia prezantojë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më së largu në takimin e radhës të Ballkanit të hapur, për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”, tha Kurti.

“Unë i besoj kryeministri Rama se beson që ai model është i mirë për pakicën serbe. Unë vetëm po tregoj ku është adresa dhe cila do të jetë kërkesa për këtë model. Adresa është Beogradi dhe kërkesa është për shqiptarët e Luginës”, shtoi ai.

(r.m.)