Kurti: Reciprociteti duhet të jetë fryma e zgjidhjeve parimore

Prishtinë, 27 gusht 2022 – Kryeministri Albin Kurti ka reaguar pas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për heqjen e dokumenteve të hyrje-daljes.

Në një postim në Twitter, kurti ka theksuar se reciprociteti duhet të jetë fryma e zgjidhjeve parimore midis dy vendeve.

“Reciprociteti duhet të jetë fryma e zgjidhjeve parimore. Javën e kaluar fola me “Die Welt” për masat tona reciproke për targat e makinave dhe dokumentet e hyrje-daljeve me Serbinë, por gjithashtu fola edhe për fuqinë tonë punëtore të re dhe të kualifikuar, për luftën kundër korrupsionit dhe për forcimin e demokracisë”, ka shkruar Kurti.

Marrëveshja për dokumentet e hyrje-daljes u arrit pas përfshirjes serioze të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në negociatat për çështjen e dokumenteve të identifikimit të shtetasve të të dy vendeve dhe për çështjen e targave të automjeteve.

Përfaqësuesi Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, bashkë me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë javës qëndruan në Kosovë dhe në Serbi, ku diskutuan me liderët shtetërorë dhe partiakë për këto dy çështje. Ata kërkuan me ngulm arritjen e marrëveshjeve që do të ulnin tensionet dhe të shmangnin incidentet ventuale.

(r.m.)