Kurti refuzoi të takohet me Ramën. Mes tyre shihen mospajtime të mëdha

Prishtinë, 6 korriik 2023 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, arrti të enjten në Prishtinë, në kuadër të një turneu të tij në shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilësuar prej tij si turne përgatitor për samitin e ardhshëm të Procesit tëBerlinit që do të mbaht në Tiranë, në muajin tetor.

Rama u prit nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, por nuk u prit nga Kryeministri Albin Kurti, për shkak të hatërmbetjes që Rama e kishte anuluar mbledhjen e përbashkët të qeverive të dy vendeve, që ishte caktuar të mbahej në Gjakovë, më 14 qershor.

Kështu Kurti i qëndroi konsekuent qëndrimit të tij për të mos u takuar me Ramën, në qoftë se ai refuzon të realizojë mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, për të cilën ishin dakorduar dy palët.

“Nëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, insiston në anulimin e mbledhjes së dy qeverive, atëherë unë ngelem te qëndrimi që ia kam thënë për takime të ne të dyve”, tha Kurti të mërkurën.

Por, kryeparlamentari Konjufca tregoi se nuk është anulimi i mbledhjes së dy qeverive “mëkati” i vetëm i Ramës. Ai u shpreh shumë kritik për draftin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë që Rama ia ka dorëzuar shefit të politiikës së jashtme të BE-së, Joseph Borrell.Sipas Konjufcës, ai draft ofron “autonomi territoriale për serbët e Kosovës”.

“Ai ka ndarë elemente të Asociacionit që pretendon se janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Mirëpo, mua më është dukur se elemente të caktuara të propozimit të z.Rama përmbajnë autonomi territoriale për serbët e Kosovës. Kjo është në kundërshtim me interesin e popullit të Kosovës dhe të kombit shqiptar”, deklaroi Konjufca.

Ai e akuzoi Tiranën zyrtare edhe për qëndrimin ndaj idesë për shkëmbimin e territoreve dhe për nismën rajonale “Ballkani i Hapur”.

“Republika e Shqipërisë ishte zyrtarisht në anën e opsionit të shkëmbimit territorial me Serbinë dhe mendoj se kjo e ka dëmtuar Republikën e Kosovës. Mendoj se e ka dëmtuar Kosovën edhe ideja e ‘Ballkanit të Hapur’. Mendoj se me këto pozicione Kosova vetëm mund të dëmtohet”, theksoi Konjufca.

Ndëkaq Rama fillmisht u përpoq të shmangte komentet për refuzimin e Kurtit.

“Takimi nuk ka ndodhur. Nuk kam fjalë për ta interpretuar”, deklaroi ai, në një intervistë në Klan Kosova.

Megjithkëtë, ai nuk arriti ta fshehte faktin se refuzimi i Kurtit e ka lënduar. Ai tha se anulimi i mbledhjes së përbashkët të dy qeverive nuk ishte “thikë pas shpine” për Kosovën, siç është cilësuar nga bashkëpnëtorë e mbështetës të Kurtit.

“Çfarë ‘thike’ është që një mbledhje mes dy qeverish për marrëveshje të dakordësuara të mbahet kur ka gjëra të tjera më me rëndësi. Është e kundërta e ‘thikës’. Shtrirja e dorës për të qenë së bashku për ta kuptuar më shumë njëri-tjetrin. Nuk mund të bëhet me ato që dëgjojmë nga televizioni. Ideja që anulimi është ‘thikë’, që qëndrimi i Kosovës është ai i duhuri dhe që gjithë bota e ka gabim, është e gabuar. Nuk është kështu”, tha ai.

Rama hodhi poshtë pretendimet se anulimi i mbledhjes së dy qeverive ishte pjesë e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

“Ka edhe një keqkuptim, sikur anulimi i mbledhjes së qeverive ka ardhur si rezultat i masave të BE-së. Në fakt e kundërta është e vërtetë. Kam kërkuar me insistim nga Albini që të bëjmë një takim të dy bashkë, sepse kam dashur t’ia përcjell disa shqetësime dhe kam dashur ta lehtësoj pozicionin e Kosovës”, theksoi ai.

Rama përsëriti disa herë se ai nuk ka “asgjë personale” me Kurtin por ishte shumë kritik për qasjen e Kurtit ndaj situatës në veri dhe ndaj kërkesave të Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Nuk e godas kryeministrin Kurti. Nuk kam asgjë personale. Unë mbaj qëndrim ndaj politikës së caktuar”, tha Rama.

Ai tha se “politika në Prishtinë ka bërë që Serbia të duket si viktimë para bashkësisë ndërkombëtare”.

“Tragjike. Serbia ka dalë nga ekrani. Duket sikur ajo është viktimë para botës… Kush e ka përgjegjësinë për këtë? Nuk e ka bërë këtë një lëvizje inteligjente e Serbisë. Kjo është vepër e Prishtinës. I është dhënë Serbisë pozicion komod dhe këtu qeveria merr rrufetë e planetit”, theksoi Rama.

Partitë opozitare në Kosovë e kritikuan ashpër refuzimin e Kurtit që të takohet me Ramën.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, e cilësoi këtë si shpërfaqje të “hipokrizisë politike” të Kurtit.

“Hipokrizia politike e Albin Kurtit shpërfaqet në sjelljen e tij si të një feudali mesjetar dhe autokrati inatçor, që deri sa ishte në opozitë fliste për bashkim kombëtar me Shqipërinë dhe sot nuk mund të bashkohet në takim me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama”, tha Hoxhaj.

Lidhja Demokratike e Kosovës tha se ky është “tregues i krizës në të cilën ndodhet aktualisht Kosova në marrëdhënie me aletatët e saj”.

Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cilësoi si “skandaloz dhe të turpshëm” gjestin e Kurtit, duke theksuar se “çdo kryeministër shqiptar, cilido qoftë ai që vjen në Kosovë, vjen në shtëpinë e vet”.

(r.m.)