Kurti riafirmoi gatishmërinë e Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë

Bruksel, 20 shtator 2024 – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u prit sot në Bruksel nga Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Bashkimit Evropian (BE), Gert Jan Koopman.

Zyra e kryeministrit njoftoi se në takim u diskutua për aspekte të shumta të procesit të integrimit të Kosovës në BE, përfshirë perspektivën e avancimit tëkandidaturës për anëtarësim.

“Në takim u trajtuan edhe çështje tjera të ndërlidhura me procesin e zgjerimit të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave edhe për nevojën e funksionalizimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, mbi parimet e pjesëmarrjes së barabartë për të gjitha shtetet e rajonit”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti citohet të ketë thënë se Kosova është e interesuar që Tregu i Përbashkët Rajonal të funksionalizohet “duke avancuar në drejtimin e afrimit të rajonit me standardet evropiane, si ato në fushën e ekonomisë, ashtu edhe ato në fushën e demokracisë dhe sundimit të ligjit”.

“Ai theksoi se për Kosovën pengesat aktuale në progresin e saj kanë të bëjnë me situatën e sigurisë dhe kërcënimin e vazhdueshëm që vjen nga Serbia dhe se Kosova kërkon ta adresojë në bashkëpunim me partnerët perëndimorë, pikërisht për shkak të lidhjeve shumta dhe të ngushta të Serbisë me Rusinë”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se në takim është diskutuar edhe për fillimin e zbatimit të Planit të Rritjes, si instrument i Komisionit Evropian i krijuar për t’i dhënë shtysë të madhe afrimit sa më të shpejtë dhe përmbajtjesor të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.

Kurti ka shprehur qëndrimin e Kosovës edhe për dialogun për noirmalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Ai ka thënë se Kosova vazhdimisht ka qenë palë konstruktive dhe se z. Koopman ia ka riafirmuar mbështetjen për Marrëveshjen bazë dhe për Planin e Zbatimit, të arritura vitin e kaluar.

“Kosova, me këtë, e riafirmon përkushtimin e saj për procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe zotohet për angazhim konstruktiv në proces për ta çuar atë shpejt përpara. Në këtë kontekst, Kosova zotohet që plotësisht të zbatojë të gjitha obligimet respektive që dalin nga Marrëveshja Bazike për Rrugën Drejt Normalizimit dhe Aneksi Zbatues i saj, përfshirë aty të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut. Detajet e implementimit do të diskutohen në dialog nën lehtësimin e BE-së”, ka thënë ai.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Gert Jan Koopman, ka shprehur përkushtimin e forte të institucioneve evropiane në Bruksel për integrimin e Kosovës dhe tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE. Ai ka thënë se ky përkushtim do të vazhdojë të jetë i tillë edhe me përbërjen e re të Komisionit Evropian, gjë që është dëshmuar edhe me qëndrimet që Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i shprehu të enjten në takimin joformal me liderët e Ballkanit Perëndimor.

(r.m.)