Kurti: Sanksionet e SHBA-së, dëshmi e veprimit të krimit të organizuar në veri

Prishtinë, 8 dhjetor 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka mirëpretur vendimin e Departamentit amerikan të Thesarit për futjen e grupit të organizuar kriminal që vepron në veri të Kosovës në listën esanksioneve.

“Shumë i mirëseardhur vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për identifikimin e emrave të përveçshëm dhe sanksionet ndaj Zvonko Veselinovic dhe grupit të organizuar kriminal që vepron në veri të Kosovës”, thuhet në një deklaratë të Kurtit të shpërndarë në rrjetet sociale.

“Përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve në mes Kosovës dhe Serbisë, ky grup është dëshmia më e mira se krimi në veriun e Kosovës është realitet i përditshëm që cenon ligjshmërinë e të drejtat, lirinë dhe të mirat e qytetarëve”, thuhet më  tutje në deklaratë.

Kurti ka thënë se institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë me institucionet simotra të vendeve aleate e partnere për luftimin e grupeve kriminale transnacionale.

“Vendimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vërteton legjitimitetin e veprimeve të Policisë së Kosovës javë më parë në komunën veriore të Mitrovicës kundër kontrabanduesve të mallrave ilegale. Lidhjet e bashkëpunimit ndëretnik të grupeve kriminale dhe fushëveprimit të tyre transnacional do t’i luftojmë nëpërmjet bashkëpunimit të zyrtarëve të institucioneve tona pa dallim etnie dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me aleatët e partnerët tanë”, ka thënë ai.

Kurti ka theksuar se Qeveria e Kosovës e ka prioritet luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Krimi i organizuar është rrezik i sigurisë kombëtare. Republika e Kosovës është e të gjithë qytetarëve të saj. Qeveria e Republikës së Kosovë ka prioritet luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thuhet në deklaratën e tij.

Më 8 dhjetor, autoritetet amerikane thanë se një grup të organizuar kriminal, i përbërë nga Millan Radoiçiq, Zvonko e Zharko Vesellinoviq, Sërgjan Vulloviq, Zhelko e Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq, serbë të Kosovës, janë futur në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit.

Në njoftim, Zvonko Vesellinoviq identifikohet si udhëheqës i Grupit të Krimit të Organizuar dhe si një ndër kokat e korrupsionit në Kosovë.

Në njoftimin e SHBA-së u tha se personat e sanksionuar ishin pjesë e një grupi të angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë.

Sipas njoftimit, ky grup kriminal ka komplotuar edhe politikanë të ndryshëm për favore të ndërsjella, përfshirë dhënien e ryshfetit zyrtarëve kosovarë të sigurisë, për të lejuar operacione të tyre të kontrabandës midis Serbisë e Kosovës dhe dhënien e ryshfetit zyrtarëve kufitarë të Kosovës për t’u lejuar kalim të sigurt kontrabandistëve.

Personave që futen në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit u bllokohen pronat dhe shtetasve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.

(r.m.)