Kurti: Së paku 30 persona të armatosur rëndë janë në rrethim të forcave tona

Prishtinë, 24 shtator 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në Banjskë të Zveçanit gjenden së paku 30 persona të armatosur rëndë që sulmuan policinë e Kosovës të dielën në mëngjes, ku u vra një zyrtar policor dhe u plagos një tjetër.

Ai tha se sulmuesit janë vënë nën rrethimin e forcave policore të Kosovës dhe u bëri thirrje të dorëzohen.

“Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore dhe të cilët i ftoj që të dorëzohen te organet tona të sigurisë”, tha ai, në një konferencë për medie, të dielën në mesditë.

Kurti tha se autorët e sulmit, të cilët i quajti terroristë, janë strehuar në Manastirin e Banjskës, në objektet ndihmëse të manastirit dhe në shtëpitë dhe pronat përreth.

Ai theksoi se është shumë e rëndësishme që kjo situatë të përmbyllet në mënyrë të qetë dhe më pas do të vendoset çka tutje.

Kurti, duke shfaqur në ekran disa fotografi të bëra në oborrin e manastirit dhe në zonën përreth, shihet se sulmuesit janë të uniformuar e të maskuar, të armatosur me armë të rënda dhe të pajisur me automjete të blinduablinduara, tha se duket që ata janë profesionistë. Ai tha se banorët lokalë serbë nuk kanë automjete të tilla.

“Organet tona të sigurisë dhe prokuroria, me siguri, do të zhvillojnë hetime për të kuptuar më shumë për këto uniforma”, tha ai.

Kurti theksoi se tani është shumë e rëndësishme që kjo situatë të përfundojë  në mënyrë të qetë dhe pastaj të vendoset si të veprohet më tutje me sulmuesit.

Gjatë konferencës për media, Kurti shoqërohej nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti.

I pyetur nëse ka mundësi që pjesëtarë të grupit mercenar rus Wagner janë infiltruar në veri të Kosovës, Hoti tha se asgjë nuk është e faktuar.

”Më herët kemi pasur informacione që individë të grupit Wagner po lëvizin ose mund të lëvizin, ose mund të sulmojnë (në Kosovë). Të gjitha janë trajtuar, mirëpo deri më tani nuk kemi diçka të argumentuar, të faktuar”, tha ai.

(r.m.)