Munih (Gjermani), 23 qershor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung”, i hedh poshtë akuzat nga Brukseli dhe Uashingtoni. Ai mendon se Serbia duhet të përgjigjet.
“Marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës janë më të tensionuara se në vitet e mëparshme. Uashingtoni paralajmëron se kriza mund të përshkallëzojë në një konflikt rajonal, ndërsa Bashkimi Evropian po kërcënon Kosovën me sanksione”, e përshkruan gjendjen aktuale gazeta “Süddeutsche Zeitung”.
“Përpjekjet ndërmjetësuese të BE-së dhe SHBA-së kanë për qëllim të bindin Prishtinën që të formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi duhet ta njohë de facto pavarësinë e Kosovës”, shpjegon gazetari Tobias Tzick.
Kryeministri Kurti thotë se në takimin e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në muajin mars, e ka paraqitur një draft me kushtet kryesore për formimin e Asociacionit.
“Duhet të njihet kushtetutshmëria e Republikës sonë. Asociacioni nuk mund të ketë pushtet ekzekutiv dhe nuk mund të krijohet nivel shtesë i qeverisjes. Por, sapo përmendet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, zoti Vuçiq nuk dëshiron të dëgjojë asgjë për të”, thotë ai.
„Nuk mendoj se jam kokëfortë, jam parimor”
“Kur e takoj zotin Vuçiq”, thotë Kurti, “më duket gjithmonë se ai dëshiron të kthehet në kohë: herë në vitin 1999 kur u çliruam, herë para vitit 2008 kur shpallëm pavarësinë dhe herë para 27 shkurtit të këtij viti, kur ai i tha ‘Po’ marrëveshjes së paraqitur nga BE-ja në Bruksel, por të cilën nuk e nënshkroi”, shton Kurti.
Vërejtjes së gazetarit se diplomatët perëndimorë e konsiderojnë atë partner të vështirë dhe e akuzojnë si kokëfortë, Kurti i përgjigjet:
“Nuk mendoj se jam kokëfortë, jam parimor. Politika nuk mund të shihet e izoluar nga etika dhe vlerat”, thekson ai.
Kurti thotë se ai i ka dëgjuar “miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë” kur kanë kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve si edhe zhvendosjen e vendit të betimit të kryetarëve të komnave “për të shmangur skenat triumfuese”. Por, ai shton se “kryetarët e komunave duhet të shkojnë në zyrat e tyre – apo mos vallë duhet ta bëjnë punën përmes zoom-it?”
“Perëndimi do të arrijë të kundërtën”
Duke u përgjigjur në pyetjen se si e vlerëson faktin se “Bashkimi Evropian e kërcënon Kosovën me sanksione, ndërsa është jashtëzakonisht i butë ndaj Beogradit”, Kurti thotë se “miqtë tanë në BE dhe SHBA kanë pak pritshmëri nga Beogradi”.
“Kjo është arsyeja pse çdo gjest pozitiv i Beogradit është i mbivlerësuar dhe i fryrë. Në të njëjtën kohë, ata kanë shpresa të mëdha për Serbinë në planin afatmesëm. Një politikë e tillë krijon probleme sigurie për të gjithë fqinjët e Serbisë”, thekson ai.
Kurti e cilëson të parealizueshën qëllimin e BE-së dhe SHBA-së për ta shkëputur lidhjet e ngushta të Vuçiqit me Putinin,
“Diçka e tillë mund të funksionojë me një demokrat, por jo me një autokrat. Një autokrat do ta shohë çdo akt bujarie ose tolerance si një shenjë frike ose dobësie”, thotë ai.
“Duke menduar se koncesionet do ta joshin zotin Vuçiq që të kthehet drejt Perëndimit, do të arrihet pikërisht e kundërta”, thekson ai.
“Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe të përballet me krimet”
Kurti pranon se në dialogun e deritanishëm mes Kosovës e Serbisë nuk është arritur shumë.
“Nuk kemi arritur shumë”, thotë ai.
“Pas disa orë bisedimesh për marrëveshjen bazë, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri (Josep) Borell më 18 mars deklaroi: ‘Ne kemi një marrëveshje’, kurse më 24 prill, z. Vuçiq deklaroi në konferencë për shtyp se e pranon marrëveshjen vetëm si koncept dhe jo si përmbajtje. Më vonë ai i ka njoftuar Berlinin, Parisin dhe Uashingtonin se synon të zbatojë vetëm disa pjesë të marrëveshjes”, thotë Kurti.
Kurti përrgjgjet negativisht në pyetjen se a është i mundur të arrihet një besim i plotë mes Kosovës e Serbisë.
“Nuk mund të ketë besim të plotë derisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe derisa nuk përballet me krimet që ka kryer gjatë luftës”.
(Sipas citateve të DW)