Prishtinë, 10 janar 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova do të bashkëpunojnë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por ka shprehur dyshime se Serbia e dwshiron kwtw.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë edhe partnerët edhe aleatët tanë, andaj ne do të bashkëpunojmë ngushtë në mënyrë që të bëhet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë. Por, duhet ta kuptojmë që kemi një Serbi gjithnjë e më abnormale. Pra, ndërkohë që ne dëshirojmë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, ky viti që posa e lamë pas ishte vit i abnormalizimit të mëtutjeshëm me Serbinë”, ka thënë ai të martën, pas takimit me kryetarët e komunave.
Kurti është pyetur lidhur me propozimin franko-gjerman. Ai ka thënë se Serbia e ka refuzuar këtë propozim, ndërsa Qeveria e Kosovës e konsideron si “bazë të mirë për diskutim”.
“Planin e Bashkimit Evropian, të mbështetur nga Franca, Gjermania dhe Shtetet Bashkuara të Amerikës, e kemi konsideruar si bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme, ndërkohë që Serbia e ka refuzuar atë. Në mbledhjen e Këshillit Nacional të Sigurisë, të mbajtur në Beograd, më 27 tetor të vitit 2022, konkluzion unanim ka qenë refuzimi i këtij propozimi, që u bë publik nga ministri i Jashtëm i Serbisë, Daqiq, i cili përndryshe ka qenë zëdhënës i partisë së Millosheviqit. Pra, ata e kanë refuzuar këtë propozim dhe tash do të duhej të gjithë të merren me ta, ndërkohë që ne e kemi konsideruar si bazë të mirë për diskutim”, ka thënë Kurti.
Propozimi i Bashkimit Evropian, i njohur edhe si plani franko-gjerman, mësohet se u është dhënë palëve qysh në fund të verës. Ai ka mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe SHBA-së.
Sipas raportimeve të medies, në këtë plan nuk përmendet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.
Në dokumentin të cilin e kishte siguruar REL-i thuhej se elementet kyçe të këtij propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve janë: respektimi i integritetit territorial, paprekshmëria e kufijve, njohja e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Më 11 nëntor, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thwnw se thelbi i planit franko-gjerman është i papranueshëm për Serbinë, pasi ai nis me faktin që Kosova është e pavarur.
(r.m.)